Si po ndikon koronavirusi në Kupën e Botës 2022

  • 27 March 2020 - 09:51
Si po ndikon koronavirusi në Kupën e Botës 2022

E gjithë bota po përballet për momentin me virusin Covid-19, që e ka paralizuar edhe botën e sportit. E përkundër që Kupa e Botës është ende më shumë se dy vjet larg, tashmë kjo garë po ndikohet nga përhapja e koronavirusit.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 536,373 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 24,112.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Megjithatë, nuk janë vetëm garat që janë afër në kalendar që po ndikohen nga ky virus. Përderisa është mbi dy vjet larg, Kupa e Botës 2022 në Katar tashmë është ndikuar nga kjo pandemi, pasi që një numër i ndeshjeve kualifikuese tashmë janë shtyrë.

Këto ndeshje të shtyra, bashkë me shumë ndeshje të tjera të shtyra të ekipeve kombëtare për gara të tjera si Evropiani e Kupa e Amerikës, bëjnë që Kombëtaret ta kenë të vështirë të gjejnë kohë për të gjitha këto ndeshje në kalendarin e tyre, veçanërisht pasi që edhe klubet tani e kanë orarin e ngjeshur dhe lojtarët do të luajnë më shumë me klubet e tyre sesa me Kombëtaret.

Kjo bën që problemi kryesor lidhur me Kupën e Botës 2022 shkaku i koronavirusit të jetë agjenda e ngjeshur e ekipeve kombëtare për t’i luajtur ndeshjet kualifikuese, veçanërisht për të gjetur kohë për ato të shtyrat.

Kupa e Botës 2022 pritet të nisë më 21 nëntor të vitit 2022 në Katar dhe do të vazhdojë deri më 18 dhjetor. Kjo do të jetë hera e parë që kampionati mbahet dimrit, pasi që zakonisht mbahet në qershor dhe korrik. Ky vendim u mor për shkak të temperaturave shumë të larta gjatë verës në Katar. 

(Kosova Sot Online)