Komuniteti i Madridit falënderon De Gean për përkrahjen në luftën kundër koronavirusit

  • 27 March 2020 - 12:19
Komuniteti i Madridit falënderon De Gean për përkrahjen në luftën kundër koronavirusit

Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, e ka falënderuar David De Gean për ndihmën e tij në luftën kundër virusit Covid-19, pas lajmit se portieri spanjoll i Manchester Unitedit i dhuroi në mënyrë anonime 300 mijë euro.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur mbi 542 mijë njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur mbi 24 mijë.

Spanja është goditur rëndë nga kjo krizë, përderisa raportohet për mbi 58 mijë njerëz të infektuar, ndërsa mbi 4 mijë njerëz e kanë humbur jetën shkaku i këtij virusi vdekjeprurës.

Yjet e futbollit kanë tentuar ta japin kontributin e tyre në këtë luftë duke dhuruar para për t’u ndihmuar autoriteteve. Njëri ndër ta është edhe De Gea, i cili dhuroi para në formë anonime, mirëpo u falënderua nga presidentja e Komunitetit të Madridit përmes rrjeteve sociale.

“Faleminderit De Gea! Ndihma e madhe që e ke dhënë për Komunitetin e Madridit do të jetë kyçe në luftën kundër Covid-19. Do të jemi përjetësisht mirënjohës dhe krenar për ty”, tha Ayuso.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20. 

(Kosova Sot Online)