Tri opsionet për përfundimin e sezonit në La Liga

  • 27 March 2020 - 14:07
Tri opsionet për përfundimin e sezonit në La Liga

La Liga dhe Shoqata e Futbollistëve Spanjollë janë duke bashkëpunuar në tentim për ta gjetur një mënyrë që të zvogëlohet ndikimi që e ka koronavirusi në futbollin spanjoll.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur mbi 550 mijë njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur afër 25 mijë.

Autoritetet e futbollit në Spanjë duan që kampionati të rinisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe i kanë urdhëruar klubet që të jenë të gatshme për rinisjen kurdo që vendoset të fillojë sërish sezoni, transmeton Gazeta Express.

Organizatorët i kanë propozuar tri opsione për pjesën e mbetur të sezoni 2019/20:

1. Rinisja e kampionatit në maj

Kjo ide është më optimistja, pasi që sipas këtij propozimi klubet duhet t’i kthehen futbollit në mes të muajit maj dhe të vazhdojnë me ndeshje deri më 30 qershor ose 15 korrik.

Kjo do të thotë që skuadrat do të duhej të luanin çdo tri ditë dhe këto ndeshje do të zhvilloheshin pa marrë parasysh a do të lejohen tifozët në stadiume apo jo. Vendimet për kontratat e lojtarëve që skadojnë më 30 qershor do të merren nga FIFA.

2. Rinisja e sezonit më vonë gjatë verës

Duke marrë parasysh që këtë verë nuk do të zhvillohet Kampionati Evropian 2020, ky opsion është shumë i mundur, por sezoni i ardhshëm 2020/21 do të duhej të shtyhej. Ky kalendar do të bënte që La Liga të vazhdonte deri në gusht ose shtator këtë sezon.

3. Rinisja e kampionatit në shtator

Ky është opsioni më radikal, por, me kalimin e ditëve, po duket si opsioni më realist. Kjo do të bënte që sezoni 2020/21 të shtyhej për një kohë më të gjatë. 

(Kosova Sot Online)