Majlinda Kelmendi s’e përjashton mundësinë e përfshirjes në politikë

  • 27 mars 2020 - 20:42
Majlinda Kelmendi s’e përjashton mundësinë e përfshirjes në politikë

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të përfshihet në politikë pas të pensionohet nga karriera si xhudiste, por ka bërë të ditur se do të preferonte të bëhej trajnere.

Kampionia e vetme Olimpike e Kosovës nuk ia ka caktuar vetes ende ndonjë datë për pensionim, pasi që beson se kjo gjë do të varet nga gjendja shëndetësore dhe fizike e saj, varësisht se a do të pësojë lëndime apo jo.

Megjithatë, Kelmendi tregon se pas pensionimit do të dëshironte t’i vazhdonte studimet për ta marrë diplomën Master, pasi që ka thënë se kishte tentuar të studionte edhe gjatë kësaj kohe, por ishte e vështirë për të si sportiste.

Synimi i saj është që të vazhdojë të angazhohet në botën e sportit, pasi që mendon të bëhet trajnere e xhudos, duke thënë se shpreson që Driton Kuka ta lejojë të bëhet fillimisht ndihmëse e tij.

E së fundi, Kelmendi nuk e përjashton mundësinë as të përfshihet në politikë.

“Nuk e di, ndoshta pas 20 vjetëve [do të merrem me politikë]. Kurrë s’i dihet jetës, por për momentin jo”, tha Kelmendi.


(Kosova Sot Online)