Karriera në Premierligë, situata interesante me Thierry Henryn – rrëfehet Shefki Kuqi

  • 28 mars 2020 - 14:42
Karriera në Premierligë, situata interesante me Thierry Henryn – rrëfehet Shefki Kuqi

Koha e Shefki Kuqit në Angli është shumë e famshme për audiencën kosovare.

Ai luajti për shumë klube të njohura si Newcastle, Swansea, Blackburn, Fulham e Sheffield.

Sigurisht, askush nuk mund t’i harrojë festimet e tij unike me gjoks, të cilat lanë gojëhapur edhe fansat anglezë.

Periskopi ka kontaktuar me të për të diskutuar rreth kësaj kohe, me 43-vjeçarin që tash është trajner i licencuar dhe jeton në Finlandë, por ka udhëtime të shpeshta në Angli.

Nga koha e tij në Angli, ai me nostalgji ka kujtuar për kontaktet e tij dhe bisedat me yjet e Premier Leagues.

Sa ishte pjesë e Fulhamit, ai pati rastin të ndeshej me skuadra të mëdha në elitën e futbollit anglez, derisa ka zbuluar detaje nga ndeshja kur ai ia kishte kërkuar fanellën legjendës franceze, Thierry Henry.

“Thierry Henryt i thashë pas ndeshjes ‘a bën t’i shkëmbejmë fanellat’, më tha ‘po, nuk është problem’, por mua m’u duk se veç më tha ashtu dhe nuk ishte i interesuar ta bënte një gjë të tilla.

“Por kur u futëm brenda, derisa isha në zhveshtore duke dëgjuar fjalimin e trajnerit, një punonjës i klubit më tha: ‘dikush është pas derës duke të kërkuar.’

“Kur ngritem të shikoj… ishte Thierry Henry me fanellë të tij.

“E falenderova shumë dhe i thashë se nuk e kisha pritur se do ta sillte.

“Ai më tha mos m’u falendero por sillma edhe fanellën tënde.”

Interesante, mëtej Kuqi ka treguar se jeta në futbollin anglez është tejet sfiduese, gjë të cilën jo të gjithë mund ta përballojnë.

“Nëse s’je mentalisht edhe fizikisht i përgatitur, harro që ki me pasë karrierë atje,” thotë ai.

“Edhe tifozat sot të shajnë, nesër të duan, është tepër tensionuese.

“Anglia, sidomos PL, mund të them që është jetë me pesë yje. Tonat i ke pas, krejt u varë prej disiplinës tënde edhe vullnetit.”

I pyetur se kundër cilit mbrojtës e kishte më të vështirë të luante, ai dha komente interesante në lidhje me stilin e lojës së John Terryt dhe Rio Ferdinandit.

“John Terry e ka fut kokën aty ku të tjerët nuk e futin këmbën,” thotë fillimisht Kuqi.

“E Rio Ferdinand ka qenë tjetër. Për atë, e ke ditë gjithë që e bën ndonjë gabim, por ka qenë shumë i shpejtë dhe i përmirësojke gabimet me shpejtësi.

“Ferdinand kishte dëshirë ta mbante topin, dhe nuk e largonte vetëm sa për ta spastruar rrezikun. Stili i lojës së tij ia ka mundësu me bo gabime.”

Emrat si Cristiano Ronaldo, Frank Lampard dhe Didier Drogba ai thotë se i shihte shpesh nëpër kafenetë e Londrës.

“Kom pas nderin me ndejtë me Ronaldon, kom folë madje me të,” shprehet ai.

“Kom pas rast me ndejtë me emra edhe si Frank Lampard dhe Didier Drogba, këta ishin tepër modestë, krejt ndryshe jashtë.”

Kuqi tutje tregon se Anglia ndryshimin më të madh në futboll e përjetoi kur Arsene Wenger mori drejtimin e Arsenalit.

Më herët, ai thotë se futbollistët nuk i kushtonin shumë rëndësi detajeve dhe margjinalizimeve të lojës, por me francezin ndryshuan gjërat.

“Gjatë kohës kur kom lujt në Premier League kanë ndryshu shumë gjëra,” shprehet ai.

“Unë personalisht mendoj se ai futboll ka qenë më atraktiv, më klas.

“Një trajner që e respektoj më së shumti është Arsene Wenger, ai e ka ndryshu stilin e futbollit në Angli.

“Ai përveç futbollit, e ka ndryshu edhe stilin e jetës në Angli.

“Futbollistët kanë ndryshuar prej që ka ardhë Wengeri, janë përkujdesur më shumë për ushqime nuk kanë dalë më natën si më herët.”

Në një bisedë të gjatë ku u diskutuan shumë gjëra, të cilat do të publikohen në vazhdim, Kuqi zbuloi se pse asnjëherë nuk arriti të prek kulmin e kulmit në Angli.

“Mungesën më të madhe që e kam pas si lojtar është që nuk e kam pasur një agjent të mirë,” tregon ai me sinqeritet.

“Krejt transferimet i kam bërë vetë. Të kisha pas një agjent të fortë, shumë më gjatë do të luaja në Angli.”

(Kosova Sot Online)