Rrëfehet shqiptari që u rrit me Ibrahimovicin: Ishte shumë belaxhi

  • 28 March 2020 - 17:28
Rrëfehet shqiptari që u rrit me Ibrahimovicin: Ishte shumë belaxhi

Shqiptari nga Struga, Adi Hoxha, ka dhënë një rrëfim për jetën e tij në Malmo të Suedisë, ku ishte rritur së bashku me njërën ndër ikonat e futbollit, Zlatan Ibrahimovicin, për të cilin thotë se si fëmijë ishte shumë belaxhi.

Adi Hoxha, i lindur në Suedi por me origjinë nga Struga, ka rrëfyer se si kishte qenë shoqëria e tij me Zlatan Ibrahimovicin dhe ka treguar se si nëna e tij e kishte ushqyer plot herë suedezin.

Ibrahimovici ka arritur majat e suksesit në futboll dhe sportin botëror, por si shokë të fëmijërisë Hoxha ende mban kontakte me të, sado që janë të rralla.

“Si ishte Zlatan i vogël? Belaxhi, shumë belaxhi. Gjithmonë duhej me këqyr se çfarë bën ai, kiush është ai”, tha Hoxha, në një intervistë të dhënë për Lajm TV.

“E kam njohur Zlatanin që kur i kishte gjashtë vjeç, sot jam 40-vjeçar. Zlatani ka banuar këtu, në këtë ndërtesë, në katin e pestë dhe ne kemi banuar në këtë ndërtesën afër, në katin e tretë”.

 Më tutje, Hoxha tregoi se Hoxha tregon se  me Ibrahimovicin kishin luajtur së bashku në disa klube suedeze. Ai thotë se ata kishin qenë shumë shokë të ngushtë.

“Nëna e tij banonte këtu, mirëpo kushtet i kishin shumë të vështira. Ai vinte te ne dhe hante bukë, nëna e tij e ka ushqyer atë shumë herë”.

“Tash flasim shumë rrallë. Për herë të fundit kemi folur para rreth katër vjetëve. Atëherë isha në Paris dhe e shikova një lojë të PSG-së dhe aty ishte hera e fundit”.

Ibrahimovici ia kishte dhuruar Hoxhës një fanellë të nënshkruar nga ai të Ajaxit kur ishte transferuar te gjiganti holandez, ndërsa vëllait të tij atë të Juventusit. 

(Kosova Sot Online)