Ancelotti: Kloppi më tha se ishte akt kriminal që u zhvillua ndeshja kundër Atleticos

  • 29 March 2020 - 00:10
Ancelotti: Kloppi më tha se ishte akt kriminal që u zhvillua ndeshja kundër Atleticos

Carlo Ancelotti ka zbuluar se Jurgen Kloppi i kishte thënë atij se ishte akt kriminal që u lejua të zhvillohej ndeshja kthyese e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit në mes të krizës së koronavirusit.

Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolit me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara.

Gjiganti i Premierligës e dominoi posedimin e topit dhe kishte dyfish më shumë goditje drejt portës sesa kundërshtari spanjoll, megjithatë s’arriti ta shfrytëzojë këtë dominim dhe iu shuan shpresat për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Kjo ishte ndeshja e fundit e Liverpoolit para se futbolli të pezullohej përkohësisht shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, që deri më tani i ka prekur mbi 641 mijë njerëz dhe i ka lënë të vdekur afër 30 mijë njerëz në gjithë botën.

Kloppi ishte ankuar pas ndeshjes për stilin e lojës të Atleticos, megjithatë trajneri i Evertonit Ancelotti tregon se trajneri gjerman kishte qenë i zemëruar që ishte zhvilluar ajo ndeshje përkundër rrezikut nga koronavirusi.

“Unë fola me Kloppin para pak ditësh, ai më tha se fakti që ajo ndeshje ishte zhvilluar në ato ndeshje ishte një akt kriminal. Unë mendoj se ai ka të drejtë”, ka thënë Ancelotti, në një intervistë të dhënë për Corriere dello Sport. 

(Kosova Sot Online)