“Nuk ka viruse këtu”, presidenti bjellorus luan hokej në kohën e pandemisë koronavirus

  • 30 March 2020 - 10:05
“Nuk ka viruse këtu”, presidenti bjellorus luan hokej në kohën e pandemisë koronavirus

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mori pjesë në një ndeshje të hokejit mbi akull në Minsk, duke e shpërfillur plotësisht rrezikun nga pandemia koronavirus, në një kohë kur pothuajse e gjithë bota është ngujuar për ta parandaluar përhapjen e tij.

Në Bjellorusi janë marrë pak masa për ta luftuar koronavirusin, dhe në vend të tyre, qytetarëve u është bërë thirre ta pinë vodka dhe të shkojnë në sauna.

Sporti në përgjithësi në gjithë botën është pezulluar për shkak të përhapjes së pandemisë koronavirus, por jo edhe në Bjellorusi, ku edhe futbolli u zhvillua në këtë fundjavë, madje me praninë e tifozëve në stadium.

Rreth 40.000 persona kanë vdekur në gjithë botën, ndërsa janë shënuar mbi 720.000 raste me këtë virus.

Lukasheno luajti me ekipin e vet presidencial kundër një ekipi nga rajoni Grodno, madje duke dhënë një asist, dhe tha pas ndeshjes se në vendin e tij nuk ka koronavirus dhe se hokej mbi akull është ilaç kundër virusit.

Deri tani janë shënuar 92 raste me Covid-19 në Bjellorusi, ish-shtetin sovjetik që numëron 9.5 milionë banorë. 

(Kosova Sot Online)