Sot Kosova do të mundë të ishte kualifikuar në Evropian

  • 31 March 2020 - 10:39
Sot Kosova do të mundë të ishte kualifikuar në Evropian

Po të mos kishte ndodhur kriza e koronavirusit, ekipi kombëtar i Kosovës sonte do të ishte duke luajtur në finalen e madhe të play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian, kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë, nëse do ta kishte fituar paraprakisht gjysmëfinalen kundër Maqedonisë së Veriut.

Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit për Kampionatin Evropian, pasi që është në gjysmëfinale të play-offs kualifikues për këtë garë, që këtë muaj u vendos të shtyhet nga vera e këtij viti në verën e vitit tjetër.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i ftoi në takim përfaqësuesit e të gjitha 55 Federatave anëtare, Shoqatës së Klubeve Evropiane, Ligave Evropiane dhe Unionit të Futbollistëve Botërore (FIFPro). Ky takim ishte ftuar ta diskutuar përgjigjen e futbollit ndaj krizës së koronavirusit, që i ka ndalur përkohësisht pothuajse të gjitha garat në Evropë.

Për shkak se Kampionati Evropian u vendos të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021, e jo në vitin 2020 siç ishte planifikuar fillimisht, edhe ndeshjet e play-offs për këtë garë janë shtyrë.

Kosova ishte e supozuar të luante kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-offs më 26 mars, ndërsa nëse e fitonte këtë përballje në Shkup do të kualifikohej në finalen e madhe të 31 marsit, kur do të luante si mysafire ose kundër Gjeorgjisë, ose kundër Bjellorusisë.

Këto dy ndeshje të mëdha tashmë janë shtyrë për në qershor. Por, po të mos kishte ndodhur kriza e shkaktuar nga koronavirusi, atëherë Kosova sot do të mundë ta kishte arritur kualifikimin historik në EURO 2020.

Finalja e play-offs në rrugën D do të ishte zhvilluar sonte në mbrëmje ose në Gjeorgji ose në Bjellorusi mes dy fituesve të gjysmëfinaleve (Maqedoni – Kosovë, Gjeorgji – Bjellorusi) dhe Kosova do të kishte shpresuar të shkruante historinë duke u kualifikuar në Evropianin e parë për të cilin garon. 

(Kosova Sot Online)