E konfirmon menaxheri i Muriqit: Jemi në bisedime, Vedati synon të luajë në Itali

  • 31 mars 2020 - 22:47
E konfirmon menaxheri i Muriqit: Jemi në bisedime, Vedati synon të luajë në Itali

Sulmuesi i Fenerbahces, Vedat Muriqi, e ka për qëllim kryesor të luajë në Serie A dhe është në bisedime me disa klube për një kalim të mundshëm në futbollin italian, ka konfirmuar menaxheri i kosovarit, Haluk Canatar. Klubet që Muriqi mund t’iu bashkohet këtë verë janë Lazio dhe Napoli.

Duke folur për mediat italiane, Canatar zbuloi se është në bisedime me disa klube për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës.

Muriqi ra në syrin e shumë klubeve evropiane, veçanërisht atyre italiane, në dy vjetët e fundit, pas paraqitjeve të shkëlqyer me ekipin kombëtar dardan dhe Fenerbahcen në Superligën turke këtë sezon.

25-vjeçari nga Prizreni i ka shënuar 20 gola dhe 8 asiste në 30 paraqitje për Fenerbahcen në të gjitha garat vetëm këtë sezon. Kjo ka bërë që jo vetëm Lazio dhe Napoli të shprehin interesim për të, por edhe Eintracht Frankfurt, Tottenham, Leicester City dhe Manchester United.

Feneri është në vështirësi financiare dhe do ta shesë kosovarin sipas të gjitha gjasave.

Klubi i tij i ardhshëm sipas të gjitha gjasave do të jetë Lazio, drejtor sportiv i të cilit është ish-sulmuesi i vet dhe i Shqipërisë, Igli Tare.

I pyetur për interesimin e shfaqur nga Lazio dhe Napoli për Muriqin, Canatar tha për mediat italiane: “Ka bisedime. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mund vetëm të them se synimi i Vedatit është të luajë në Itali”.

“Muriqi është futbollist për të cilin kanë shprehur interesim shumë klube; në javët e fundit shumë prej tyre kanë pyetur për të. Lazio është interesuar. Por nuk dua të flas shumë për interesimin e saj, duke e parë sesi funksionin tregu i transferimeve”, shtoi ai.

“Muriqi ende nuk ka vendosur se në cilin klub dëshiron të luajë. Por ajo që dihet sigurt është se ai dëshiron të luajë në Serie A, Premierligë apo Bundesligë”, zbuloi ai. 

(Kosova Sot Online)