Menaxheri i Lautaro Martinez i përgjigjet Barcelonës dhe Real Madridit

  • 01 April 2020 - 18:09
Menaxheri i Lautaro Martinez i përgjigjet Barcelonës dhe Real Madridit

Beto Yaque, menaxheri i Lautaro Martinez, ka këmbëngulur se nuk ka asnjë të vërtetë në thashethemet se sulmuesi argjentinas i Interit mund të kalojë te njëri prej dy gjigantëve spanjoll, Barcelona apo Real Madrid. Ai, megjithatë, e ka pranuar se ekipet më të mira po e vëzhgojnë atë.

Thashethemet se gjigantët spanjoll, veçanërisht Barcelona, do ta transferojnë Lautaron në La Liga kanë qenë të vazhdueshme këtë vit, por Yaque e bëri të qartë se argjentinasi është i përqendruar në Interin.

“Është thënë se Barcelona dhe Real Madridi e duan atë, por për të është sikur asgjë s’po ndodh. Të tjerët nuk do të flinin natën”, tha Yaque për Radio del Plata.

“Ai asnjëherë nuk më thërret për të më pyetur nëse thashethemet janë të vërteta, sepse është i përqendruar aty ku është dhe në punën e vet”, shtoi ai.

Por Yaque zbuloi se ai ka biseduar me klube të tjera për Lautaron.

“Kemi folur me shumë njerëz, por asgjë më shumë se kaq. Nuk ka asgjë formale apo serioze. Të jesh në treg është diçka për të cilën ëndërron, por ai nuk pret asgjë; e gjitha që do ai është të luajë dhe të shënojë gola”, theksoi ai. 


(Kosova Sot Online)