Mesazhi i Joshuas: Koronavirusi s’është shaka, miqtë e mi kanë vdekur nga ai

  • 02 April 2020 - 10:41
Mesazhi i Joshuas: Koronavirusi s’është shaka, miqtë e mi kanë vdekur nga ai

Kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, u ka dërguar mesazh përkrahjeje personave të prekur nga koronavirusi, duke thënë se edhe ai ka humbur miq të ngushtë gjatë kësaj pandemi globale.

Me sportin që është ndërprerë pothuajse në gjithë botën, Joshua nga karantina iu ka uruar shërim të shpejtë personave të prekur me Covid-19.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus është buzë shifrës një milion, ndërkohë që gati 50 mijë persona kanë humbur jetën deri tani si pasojë.

“Ju e keni përkrahjen time. Jam me juve në këtë dhe jemi duke e bërë gjënë e duhur. Njerëzve që vuajnë nga pandemia koronavirus, iu uroj shërbim të shpejtë sepse ky virus nuk është shaka. Ne ende nuk kemi gjetur ilaç shërues”, tha Joshua në një video-mesazh në rrjetet sociale.

 Atdheu i Joshuas, Britania e Madhe, është ndër vendet më të prekura nga Covid-19, me rreth 30 mijë raste të shënuara deri tani dhe 2.352 të vdekur.

“Ndërsa atyre që kanë vuajtur dhe i kanë humbur më të dashurit për shkak të koronavirusit, u them mbajeni kokën lart sepse e keni dashurinë dhe bekimin tim. Edhe unë kam humbur persona të afërt me të cilët punoja në stërvitje, miq të afërt, miq të miqve. Koronavirusi bëhet edhe më serioz kur t’i afrohet shtëpisë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)