Infantino: Futbolli do të jetë ndryshe pas krizës së koronavirusit

  • 03 April 2020 - 09:24
Infantino: Futbolli do të jetë ndryshe pas krizës së koronavirusit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka paralajmëruar se futbolli do të jetë më ndryshe kur të kthehet në fushën e blertë dhe ka thënë se është e pamundur të dihet tani se kur do të mundë të rinisin kampionatet vendore.

Pandemia e koronavirusit e ka paralizuar të gjithë botën e futbollit, përderisa qeveritë vendore në të gjithë botën po tentojnë ta luftojnë përhapjen e koronavirusit, tani që janë infektuar më shumë se 1 milion e 16 mijë njerëz në gjithë botën, dhe kanë mbetur të vdekur mbi 53 mijë njerëz.

Javën e kaluar, presidenti i FIFA-s e dha një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ku ai e shqyrtoi mundësinë e kthimit të futbollit me më pak gara në mënyrë që të përballohet agjenda e ngjeshur e ndeshjeve.

Ndërsa, gjatë Kongresit të 72-të të Zakonshëm të CONMEBOL (Konfederata e Futbollit në Amerikën Jugore, si UEFA në Evropë), Infantino e theksoi se luftimi i koronavirusit mbetet shqetësimi më i madh.

“Futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme, shëndeti vjen i pari dhe duhet të mbetet prioriteti ynë derisa të jetë mposhtur kjo sëmundje. Bota është duke u përballur me sfida të reja dhe ne duhet të rrimë së bashku dhe të punojmë si skuadër”, ka thënë Infantino.

“Ky është mesazhi që futbolli duhet t’ia japë botës: të punojmë bashkë si skuadër. Nesër ne të gjithë do të donim të shihnim futboll sërish, por ne nuk e dimë se kur do të mundë të nisin të luajmë sërish dhe askush në botë nuk e di se kur do të mundë të luajmë si më parë”.

“Ne duhet të shikojmë përpara dhe nuk mund të rrimë pasivë përderisa koronavirusi po na ndikon. E gjitha bota dhe sporti ynë do të jenë më ndryshe kur t’i kthehemi normalitetit”.

(Kosova sot Online )