Zëvendëspresidenti i UEFA-s e lë si opsion anulimin e ligave, por jo të garave evropiane

  • 03 prill 2020 - 11:28
Zëvendëspresidenti i UEFA-s e lë si opsion anulimin e ligave, por jo të garave evropiane

Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Michele Uva, e ka lënë si opsion mundësinë e anulimit të këtij sezoni në kampionatet vendore, mirëpo ka shtuar se klubet do të mundë të garojnë në garat evropiane edhe nëse ndodh një gjë e tillë.

Debati për rinisjen e garave të futbollit evropian është i vazhdueshëm . Vende të ndryshme në Evropë po përballen në mënyra të ndryshme me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, përderisa në Bjellorusi kampionati po vazhdon normalisht.

“Çdo vendim që do të merret do ta ketë si princip shëndetin publik. Ne jemi veçanërisht të kënaqur që kemi arritur ta gjejmë një zgjidhje me 55 Federatat anëtare, me Shoqatën e Klubeve Evropiane, me Ligat Evropiane dhe lojtarët”, ka thënë Michele Uva.

“Ne po tentojmë t’i ndihmojmë Federatat, Ligat dhe klubet për t’i rinisur kampionatet vendore duke i vendosur kupat evropiane në mes. Nuk është alternativa e parë për ne që ligat të luhen fillimisht e pastaj garat evropiane”.

Megjithatë, UEFA e ka parasysh se kampionatet vendore mund të rinisn në periudha të ndryshme në vende të ndryshme, varësisht nga vendimet që i marrin autoritetet qeveritare në secilin vend,

Pasi liga elitare e futbollit në Belgjikë u bë të enjten gara e parë evropiane që e përfundoi para kohë sezonin dhe e shpalli kampionin në bazë të tabelës së deritanishme, Uva thekson se garat evropiane mund të vazhdojnë të mbahen edhe nëse anulohen sezonet në kampionatet vendore.

“Nëse kampionatet nuk zhvillohen shkaku i ndonjë dekreti qeveritar, atëherë kjo vlen për ato gara. Nëse klubet kanë mundësi të stërviten dhe të luajnë, por kampionatet janë anuluar, atëherë klubet do të mundë të marrin pjesë ende në garat evropiane”, shtoi Uva. 

(Kosova Sot Online)