Reagon Lineker pas thirrjeve që futbollistëve t’u ulen pagat

  • 03 April 2020 - 12:35
Reagon Lineker pas thirrjeve që futbollistëve t’u ulen pagat

Legjenda e futbollit anglez, Gary Lineker, i ka dalë në mbrojtje futbollistëve të Premierligës, të cilat po kritikohen ashpër nga tifozët e futbollit që nuk kanë arritur marrëveshje me klubet që t’u ulen pagat tani shkaku i krizës së koronavirusit.

Futbolli është pezulluar kudo në Evropë, përveç në Bjellorusi. Ndër garat e suspenduara përkohësisht është edhe Premierliga, përderisa qeveritë vendore po tentojnë ta ndalin përhapjen e koronavirusit.

Klubet në ligën elitare të futbollit në Angli janë kritikuar ashpër që i ka suspenduar nga puna stafin josportiv, përderisa vazhdojnë t’i paguajë në mënyrë të rregullt pagat e larta të futbollistëve të skuadrës.

59-vjeçari Lineker beson se futbollistëve duhet t’u jepet më shumë kohë për t’u përgjigjur vetë ndaj kërkesave për uljen e pagave, para se të kritikohet kaq ashpër publikisht.

“Tani varet nga lojtarët se si përgjigjen, le t’u japim atyre mundësi të përgjigjen para se t’i ngarkojmë me këto kritikat e ashpra publike, që në ditët e sotme janë bërë të zakonshme”, ka thënë Lineker.

“Futbolli është një cak i lehtë për kritika, por ku janë biznesmenët e mëdhenj, ku janë drejtorët ekzekutivë të këtyre kompanive të mëdha, çfarë po bëjnë ata për momentin?”

“Askujt në botë s’i intereson për futbollistët përveç vetë futbollistëve, që bëjnë mjaft shumë bamirësi për komunitetin. Por, për këtë gjë nuk raportohet kurrë, ata bëjnë shumë gjëra për ta ngritur vetëdijësimin gjatë kësaj kohe të tmerrshme”.

“Kështu që le të presim dhe ta shohim se çfarë do të bëjnë ata. Unë do të jem i pari që do t’i kritikoj nëse ata nuk bëjnë asgjë”.

Anëtari i Parlamentit nga Partia Laburiste, David Lammy, e quajti kriminale veprimin e futbollistëve që s’kanë ndërmarrë hapa që t’u ulen pagat ende. 

(Kosova Sot Online)