Pezullohet rikthimi i Premierligës për shkak të koronavirusit

  • 03 April 2020 - 17:33
Pezullohet rikthimi i Premierligës për shkak të koronavirusit

Ishte parashikuar që Premierliga të rinisë me 30 prill, por është pezulluar tashmë për një datë të pacaktuar.

Tashmë është konfirmuar.

Premierliga, ashtu si Serie A, Ligue 1 apo edhe La Liga, është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Të gjitha 20 klubet e Premierligës u takuan përmes një video-konference gjatë ditës së sotme me synimin për ta shtyrë kthimin e kampionatit për një datë të mëvonshme, pasi aktualisht sezoni ishte suspenduar deri më 30 prill.

Sido që të jetë, duke parë situatën për shkak të COVID-19, edhe Premierliga ka vendosur që të shtyjë garën deri në një datë të pacaktuar.

Italia ka sugjeruar se Serie A do të mundë të kthehet në fund të majit, mirëpo kjo është vlerësuar si më optimiste sesa që duhet nga autoritetet qeveritare dhe ekspertet e epidemiologjisë.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, e shkroi një letër të përbashkët me Shoqatën e Klubeve Evropiane dhe Ligat Evropiane, duke u kërkuar Federatave anëtare që të mos nguten të vendosin për fatin e sezoneve aktuale, duke i anuluar ato siç ka ndodhur në Belgjikë.

Federatave u është thënë se anulimi i parakohshëm i kampionateve vendore pa konsultim me UEFA-n do të çojë drejt dorëzimit të vendeve kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Shtyrja e datës së kthimit të Premierligës do t’ua japë mundësinë klubeve angleze t’i ofrojnë stadiumet e tyre dhe stafin mjekësor për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, duke e ditur se ata janë në nevojë urgjente për ndihma të tilla. 

(Kosova Sot Online)