Reagon futbollisti anglez: Mos na tregoni çka të bëjmë me paratë tonë

  • 04 April 2020 - 16:50
Reagon futbollisti anglez: Mos na tregoni çka të bëjmë me paratë tonë

Mbrojtësi anglez i Newcastle, Danny Rose, mendon se është e çuditshme që futbollistët e Premierligës po kritikohen që nuk u është ulur paga gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Futbolli është pezulluar kudo në Evropë, përveç në Bjellorusi. Ndër garat e suspenduara përkohësisht është edhe Premierliga, përderisa qeveritë vendore po tentojnë ta ndalin përhapjen e koronavirusit/

Klubet në ligën elitare të futbollit në Angli janë kritikuar ashpër që i kanë suspenduar nga puna stafin josportiv, përderisa vazhdojnë t’i paguajë në mënyrë të rregullt pagat e larta të futbollistëve të skuadrës.

Anëtari i Parlamentit nga Partia Laburiste, David Lammy, e quajti kriminale veprimin e futbollistëve që s’kanë ndërmarrë hapa që t’u ulen pagat ende. Pas tij, të njëjtin mendim e shprehën edhe disa politikanë të tjerë.

“Kur u zgjova sot në mëngjes, pashë komente nga parlamentarët. Ne ndihemi sikur jemi shtyrë me shpinë për muri”, ka thënë 27-vjeçari, në një intervistë të dhënë për BBC Radio 5 Live.

“Ne po mbanim bisedime për pagat tona para se njerëzit jashtë futbollit të ndërhynin. E gjitha që ka ndodhur është një diskutim. Unë sapo fola në telefon me Jordan Hendersonin dhe ai po punon për ta gjetur një zgjidhje”.

“Thjesht nuk ishte e nevojshme për njerëzit që nuk janë të përfshirë në futboll të tentojnë të na tregojnë neve futbollistëve se çfarë të bëjmë me paratë tona. Kjo më është dukur shumë e çuditshme”. 

(Kosova Sot Online)