Aubameyang u bashkohet bisedimeve për ulje të pagave

  • 04 April 2020 - 18:14
Aubameyang u bashkohet bisedimeve për ulje të pagave

Mikel Arteta dhe Pierre-Emerick Aubameyang do të përfshihen në një video-konferencë me trajnerët dhe kapitenët e klubeve të tjera të Premierligës të shtunën pasdite për të tentuar të arrihet një marrëveshje përfundimtare për ulje të pagave gjatë krizës së koronavirusit.

Tentimi për të arritur marrëveshje për uljen e pagave të futbollistëve po bëhet me qëllim për t’ua lehtësuar barrën klubeve, të cilat janë duke pësuar dëme financiare gjatë krizës, përderisa lojtarët duan t’i ndihmojnë edhe Shërbimit Kombëtar Mjekësor.

Diskutimet kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjithë javës për mënyrat se si bota e futbollit do të mundë ta përballojë krizën e shkaktuar nga pandemia, pasi të premten u lajmërua se ligat angleze, të cilat ishin shtyrë deri në maj, do të suspendoheshin pa afat kthimi derisa udhëzimet qeveritare të thonë se është e sigurtë të kthehet sërish futbolli në fushën e blertë.

Pasi që miliona funte po humben shkaku i këtyre ndeshjeve të suspenduara, për shkak se klubet e Premierligës rrezikojnë t’i humbin 850 milionë funte nga paratë për shitjen e të drejtave televizive, klubet po përballen me probleme financiare.

Në tentim për t’u siguruar që kriza financiare të mos i godasë fuqishëm klubet, disa klube angleze, si Tottenhami dhe Newcastle, kanë vendosur që ta suspendojnë stafin josportiv nga puna përkohësisht, përderisa futbollistët vazhdojnë ta marrin ende pagën e plotë.

Ky veprim bën që qeveria britanike të detyrohet t’i paguajë punëtorët e suspenduara nga klubet, duke ua dhënë 80 për qind të pagës së tyre gjatë kohës sa vazhdon kriza.

E gjitha kjo ka nxitur kritika të ashpra – si nga komuniteti sportiv, ashtu edhe nga ai politik – drejt futbollistëve që nuk kanë arritur ende marrëveshje për t’i ulur pagat e tyre, përderisa punëtorët me shumë më pak të ardhura po duhet të sakrifikohen.

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, ka qenë në bisedime me kapitenët e klubeve të tjera të Premierligës gjatë ditëve të fundit – përfshirë këtu edhe Aubameyangun e Arsenalit – në tentim për ta gjetur një zgjidhje, gjë që mund të arrihet përmes video-konferencës së sotme.

Me avancimin e bisedimeve, Goal raporton se Aubameyang ka qëndruar në kontakt të ngushtë me pjesën tjetër të skuadrës së Arsenalit, përderisa ata po vazhdojnë të stërviten në shtëpi pasi që kampi stërvitor i klubet vazhdon të jetë i mbyllur.  

(Kosova Sot Online)