Ferizaj në telashe të mëdha financiare

  • 05 April 2020 - 15:42
Ferizaj në telashe të mëdha financiare

Ferizaj ka thënë se është në telashe të mëdha financiare në mungesë të sponsorëve, gjë që e bën edhe më të rëndë gjendjen e klubit në kohën e krizës së shkaktuar nga pandemia koronavirus.

Futbollistët dhe stafi i klubit të Ferizajt nuk kanë marrë pagë që katër muaj.

Ferizaj, i cili edhe këtë sezon po luftonte për mbijetesë në Ipko Superligë deri në pezullimin e sezonit deri në një datë të papërcaktuar, është ankuar për mungesë të sponsorëve, përmes një postimi në faqen e vet në Facebook.

“Klubi ynë vazhdon të përballet me probleme financiare edhe në këtë sezon. Futbollistët dhe shtabi teknik nuk kanë marrë pagat që 4 muaj, as edhe në këtë gjendje të rëndë që jemi. Ne si klub jemi thellësisht të habitur dhe të brengosur për gjendjen që është klubi jonë , kur e dimë që kemi donatorët ndër më të fuqishmit në Kosovë, dhe ende vazhdojnë problemet financiare dhe përkrahja e tyre është duke i munguar klubit tonë”, shkruhet në reagimin e Ferizajt.

“Ujqit”, që renditën në pozitën e 10-të në Superligë, pra në zonën e rënies nga liga elitare, u kanë bërë thirrje kompanive brenda qytetit t’i ndihmojnë klubit të mbijetojë.

“Ferizaj është qyteti i 3-të me popullsi, dhe me disa nga kompanitë më të mëdha në vend, andaj nuk e meritojmë të jemi në këtë gjendje. Duhet të merren masat që njëherë e përgjithmonë problemet financiare në klubin tonë të largohen, dhe të kemi një skuadër të organizuar mirë dhe stabile”.

(Kosova Sot Online)