Walkerin e pret dënim i rëndë, pasi theu karantinën duke bërë aheng seksi

  • 06 April 2020 - 12:12
Walkerin e pret dënim i rëndë, pasi theu karantinën duke bërë aheng seksi

Manchester City do të ndërmarrë masa të rrepta disiplinore ndaj mbrojtësit të vet, Kyle Walker, i cili i theu rregullat e qeverise britanike për të qëndruar brenda duke e mbajtur largësinë shoqërore, për shkak të rrezikut nga pandemia koronavirus.

Mbrojtësi anglez jo që nuk e kishte bërë këtë, por i kishte ftuar dy punëtore seksi në shtëpinë e vet për të bërë aheng javën e kaluar.

Walker ka kërkuar falje për veprimet e pahijshme.

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të kërkuar falje publike për zgjedhjet që i bëra javën e kaluar, të cilat kanë dalë sot (e diele) në një shkrim në një gazetë për jetën time private”, tha Walker.

“Unë e kuptoj se pozita ime si futbollist profesionist sjell përgjegjësi për të qenë shembull i mirë. Prandaj, dua t’i kërkoj falje familjes, miqve, klubit tim të futbollit, përkrahësve dhe publikut, që i kam zhgënjyer”, shtoi ai.

 City ka reaguar po ashtu, duke njoftuar se është në dijeni rreth shkeljeve të futbollistit të vet dhe duke konfirmuar se do të marrë masa disiplinore ndaj tij.

“Manchester City FC është në dijeni për shkrimin në një gazetë në lidhje me jetën private të Kyle Walker për shkelje të rregullave për mbajtjen e hapësirës shoqërore të vëna nga qeveria britanike”, thuhet në reagimin e klubit.

“Ne jemi të zhgënjyer për këtë dhe do të ndërmarrim proceduara të brendshme disiplinore në ditët në vijim”. 

(Kosova Sot Online)