FIFA vendos: Kontratat e lojtarëve do të zgjaten

  • 07 prill 2020 - 08:44
FIFA vendos: Kontratat e lojtarëve do të zgjaten

Emisioni spanjoll “El Larguero” ka zbuluar disa dokumente të FIFA-s të dërguara në Federatat e ndryshme të futbollit më 3 prill, ku thuhet se nëse një lojtar nënshkruan për një klub tjetër pas 30 qershorit, marrëveshje s’do të ketë efekt deri kur të përfundojë sezoni.

Grupi punues i FIFA-s, ku janë të përfshira klube, Shoqata e Klubeve Evropiane dhe Federatat anëtare, kanë arritur një numër të konluzioneve, si për kontratat e futbollistëve dhe për afatet kalimtar, pas krizës në të cilën e ka futur koronavirusi futbollin.

Kontratat e lojtarëve do të zgjaten përtej 30 qershorit

Pika kryesore e dokumentit të publikuar nga “El Larguero” është se kontratat e lojtarëve automatikisht do të zgjaten përtej 30 qershorit dhe do të skadojnë vetëm kur të përfundojë sezoni. Nuk është caktuar një datë fikse kur do të përfundonin këto kontrata.

Nëse një lojtar transferohet te një klub tjetër pas 30 qershorit, transferimi nuk do të jetë efektiv deri në fund të sezonit, kurdo që të jetë. Kur të ketë kontest mes klubeve për një lojtar, kontrata që lojtari e kishte në fuqi do të jetë më e rëndësishme sesa kontrata me klubin e ri.

Ky vendim e bën më të qartë situatën e lojtarëve që kishin kontratë vetëm deri më 30 qershor ose që ishin të huazuar vetëm deri më këtë datë, pasi që shumica e ligave pritet të vazhdojnë gjatë verës dhe nuk ishte e qartë se ku do ta vazhdonin sezonin lojtarët.

Afati kalimtar 16-javësh

Pika tjetër e rëndësishme e theksuar nga emisioni spanjoll në konkluzionet e FIFA-s ka të bëjë me afatin kalimtar. Secila Federatë do të ketë mundësi t’i caktojë vetë datat e afatit kalimtar, megjithatë nuk kanë të drejtë ta kalojmë maksimumin e kohëzgjatjes të caktuar nga FIFA, 16 javë.

Afati kalimtar i verës mund të vendoset në gusht dhe shtator, ndërsa ai i dimrit në dhjetor dhe janar ose në janar dhe shkurt. 

(Kosova Sot Online)