Carragher: Lojtarët e Premierligës i meritojnë pagat që i kanë

  • 07 April 2020 - 09:13
Carragher: Lojtarët e Premierligës i meritojnë pagat që i kanë

Carragher: Lojtarët e Premierligës i meritojnë pagat që i kanë.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se futbollistët e Premierligës i meritojnë pagat e tyre të larta, mirëpo mendon se ata duhet të pranojnë t’iu ulet paga për t’i ndihmuar klubet gjatë krizës së koronavirusit.

Përderisa pandemia koronavirus po vazhdon ta paralizojë futbollin, pagat e larta të futbollistëve kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur është vendosur të pezullohen përkohësisht ligat në Britani të Madhe dhe pothuajse kudo në botë.

Vendimet e klubeve si Tottenham dhe Liverpool për t’i liruar nga puna punëtorët e stafit josportiv kanë bërë që klubet të kritikohen ashpër, pasi që qeveria do të duhet të ndajë para për ata punëtorë, përderisa klubet e Premierligës janë mjaft të pasura dhe të mund t’ia lehtësonin barrën qeverisë duke i paguar vetë ata punëtorë.

Sekretari i Shëndetësisë në qeverinë britanike, Matt Hancock, ka qenë njëri ndër politikanët e shumtë që ka kërkuar nga futbollistët të pranojnë t’u ulen pagat, mirëpo Shoqata e Futbollistëve Profesionistë beson se anëtarët e vet janë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme.

Në deklaratën e lëshuar së fundi, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, tha se nuk mendon që ulja e pagave të lojtarëve për 30 për qind është zgjidhja më e mirë.

Këtë pretendim Shoqata e argumentoi duke thënë se qeveria britanike do t’i humbë mbi 200 milionë funte nga taksat e pagave të lojtarëve nëse pagat e tyre ulen për 30 për qind, duke sugjeruar se do ta gjejnë një mënyrë që të ndihmohen shërbimet publike e jo të ulen pagat pasi që në këtë mënyrë ndihmohen vetëm pronaret e klubeve dhe dëmtohen ata që kanë nevojë.

“Nga takimi i fundit i Shoqatës duket se lojtarët janë paska të mërzitur që ata do ta humbnin një pjesë të parave dhe ato para, në thelb, do të ktheheshin te klubet”, tha Carragher, në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Nuk pajtohem me këtë. Mendoj se paratë duhet të kthehen aty në njëfarë mënyre. Ne duhet të mendojmë se si paguhen lojtarët. Ka disa mënyra – përmes parave nga televizionet, paratë nga reklamat”.

“Të gjithë këto përfitime tashmë janë ndërprerë për klubet e futbollit. Lojtarët tani marrin paga të mëdha, disa prej tyre paguhen 200-300 euro në javë. Ata i meritojnë këto para, por nuk besoj se klubet e futbollit dhe pronarët në fakt fitojnë qindra miliona çdo sezon”.

“Nuk mendoj se është e tepërt t’u kërkohet lojtarëve t’i ulin pagat për pak kohë, t’u kërkohet të kontribuojnë pak për klubet”.

(Kosova Sot Online)