Pas kritikave të shumta, Liverpooli kthen prapa vendimin

  • 07 prill 2020 - 10:15
Pas kritikave të shumta, Liverpooli kthen prapa vendimin

Liverpooli ka bërë të ditur se e ka tërhequr prapa vendimin për ta liruar nga puna një pjesë të stafit gjatë krizës së koronavirusit, pasi që ishte kritikuar ashpër për këtë vendim që do ta ngarkonte qeverinë britanike në aspektin financiar.

Të shtunën, Liverpooli bëri të ditur se do t’i lironte nga puna përkohësisht një pjesë të stafit për shkak të suspendimit të Premierligës dhe ky vendim i irritoi legjendat si Jamie Carragher dhe Stan Collymore. Këta të fundit e vlerësuan këtë veprim të ish-klubit të tyre si veprim të gabuar dhe egoist të pronarëve miliarderë.

Punëtorët e liruar nga puna përkohësisht do të paguheshin në vlerë prej 80 për qind të pagës së tyre – që është deri në 2500 funte në muaj – nga qeveria britanike, në mënyrë që ata të mos goditen rëndë nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi.

Pikërisht kjo që i kishte irrituar legjendat e klubit dhe shumë tifozë të futbollit, pasi që ata pretendojnë se Liverpooli nuk ka nevojë të marrë para nga qeveria për ta paguar stafin e vet pasi që ka mjaftueshëm para vetë dhe paratë e qeverisë mund të gjejnë përdorim më të mirë diku tjetër.

Së fundi, drejtori ekzekutiv i klubit, Peter Moore, e ka sqaruar për faqen zyrtare të Liverpoolit arsyen e ndryshimit.

“Ne besojmë se e morëm vendimin e gabuar javën e kaluar dhe na vjen me të vërtetë keq për këtë. Qëllimet tona ishin, dhe ende janë, të sigurohemi që e gjitha fuqia punëtore të mbrohet sa më shumë gjatë kësaj periudhë të paprecedentë”, ka thënë Moore.

“Por, në frymën e transparencës, ne duhet të jemi të qartë që, përkundër që ishim në pozitë të mirë para kësaj krize, përfitimet time janë ndërprerë, përderisa ne ende po harxhojmë vazhdimisht. Si çdo sektor tjetër i shoqërisë, kemi shumë pasiguri dhe shqetësime për të tashmen dhe të ardhmen tonë”. 

(Kosova Sot Online)