Zyrtare: Muller rinovon kontratën, në Bayern deri më 2023

  • 07 April 2020 - 11:38
Zyrtare: Muller rinovon kontratën, në Bayern deri më 2023

Thomas Muller ka nënshkruar kontratë të re me Bayern Munichun. Kjo kontratë e re do ta mbajë fituesin e Kupës së Botës në Allianz Arena të paktën deri në vitin 2023, duke u dhënë kështu fund spekulimeve për të ardhmen e tij.

E ardhmja e Thomas Mullerit ishte vënë në dyshim në mesin e shumë spekulimeve që nisën për transferime të mundshme të 30-vjeçarit që nga fillimi i këtij sezoni 2019/20.

Pasi e kishte humbur vendin si titullar i rregullt te kampioni në fuqi i Gjermanisë nën trajnerin Niko Kovac, për gjermanin thuhej se ai do të vendosë ta vazhdojë karrierën e tij me një klub tjetër.

Megjithatë, tani ai e ka rifituar vendin e tij në formacionin e parë, pasi që trajneri i ri Hansi Flick i beson përvojës dhe cilësisë së tij. Kjo ka bërë që Muller ta fitojë edhe një kontratë të re.

Muller ka luajtur vetëm për Bayern Munichun gjatë gjithë karrierës së tij. Gjatë kësaj periudhe, bavarezi i ka bërë gjithsej 521 paraqitje në ndeshje zyrtare për Bayernin, duke i regjistruar 195 gola.

(Kosova Sot Online)