Muller: Unë dhe Bayerni luftojmë për njëri-tjetrin

  • 07 April 2020 - 11:39
Muller: Unë dhe Bayerni luftojmë për njëri-tjetrin

Thomas Muller është shprehur i lumtur për kontratën e tij të re me Bayernin Munichun, duke theksuar se lidhja e tij me gjigantin gjerman nuk është thjesht marrëdhënie pune, por se Bayerni është pasioni i tij.

E ardhmja e Thomas Mullerit ishte vënë në dyshim në mesin e shumë spekulimeve që nisën për transferime të mundshme të 30-vjeçarit që nga fillimi i këtij sezoni 2019/20.

Pasi e kishte humbur vendin si titullar i rregullt te kampioni në fuqi i Gjermanisë nën trajnerin Niko Kovac, për gjermanin thuhej se ai do të vendosë ta vazhdojë karrierën e tij me një klub tjetër.

Megjithatë, tani ai e ka rifituar vendin e tij në formacionin e parë, pasi që trajneri i ri Hansi Flick i beson përvojës dhe cilësisë së tij. Kjo ka bërë që Muller ta fitojë edhe një kontratë të re, që u zyrtarizua sot dhe është e vlefshme deri më 2023.

“Që të palët e nënshkruam këtë kontratë me një ndjenjë të mirë. Jam i sigurt se kur të nisim të luajmë sërish, ne do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm. Kjo më motivon të ec përpara”, ka thënë Muller.

“Për mua, prioriteti numër një ishte ta rinovojë kontratën me Bayernin  dhe klubi e kishte të njëjtin mendim. Kam qenë me Bayernin për dy të tretat e jetës time, kështu që s’mund të them se unë dhe klubi jemi thjesht bashkë në një rrugëtim – ne luftojmë për njëri-tjetrin”.

“Ky klub nuk është thjesht një punëdhënës i vjetër për mua, është pasioni im. Jam i lumtur që do të jem këtu për dy vjet të tjera dhe do të jap gjithçka si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj”.

Muller ka luajtur vetëm për Bayern Munichun gjatë gjithë karrierës së tij. Gjatë kësaj periudhe, bavarezi i ka bërë gjithsej 521 paraqitje në ndeshje zyrtare për Bayernin, duke i regjistruar 195 gola.

(Kosova Sot Online)