Psikologu paralajmëron futbollistët: Koronavirusi ua rrezikon shëndetin mendor

  • 07 April 2020 - 12:42
Psikologu paralajmëron futbollistët: Koronavirusi ua rrezikon shëndetin mendor

Ish-psikologu i Manchester Unitedit ka paralajmëruar se pezullimi i ndeshjeve në këtë periudhë shkaku i koronavirusit mund të shkaktojë edhe më shumë dëme sesa vetëm në aspektin fizik te futbollistët.

Përhapja e koronavirusit ka bërë që pothuajse të gjitha kampionatet në botë të pezullohen dhe futbollistët të detyrohen të stërviten vetëm nëpër shtëpitë e tyre, pasi që ata janë udhëzuar të vetizolohen dhe seancat stërvitore në klube janë anuluar.

Ende nuk dihet se kur do të ketë mundësi të kthehet futbolli në fushën e blertë, mirëpo trajnerët tashmë e kanë shprehur shqetësimin e tyre se lojtarët nuk do të jetë në formë të mirë kur të rinisin kampionatet, për shkak të mungesës së stërvitjeve me skuadër.

Mirëpo, ish-psikologu i Manchester Unitedit, Bill Beswick, ka paralajmëruar se lojtarët mund të përjetojnë edhe përkeqësim të shëndetit mendor, e jo vetëm të formës fizike, shkaku i ndërprerjes së kampionateve.

“Është më e rrezikshme për futbollistët sesa për sportet e tjera. Shumica e atletëve Olimpikë me të cilët punoj dhe lojtarët e ragbit janë atletë që janë mësuar ta menaxhojnë vetë formën e tyre”, ka thënë Beswick.

“Ata janë inkurajuar nga klubet e tyre ta menaxhojnë veten. Kështu që e kanë këtë mendësi dhe karakter të ndryshëm me futbollistët. Futbollistët tradicionalisht janë menaxhuar nga trajnerët në mënyrë ekskluzive dhe u është thënë të mos mendojnë”.

“Është e ngjashme me të qenët në stol gjatë një ndeshjeje. Nuk e di se kur, ose nëse do të hysh në lojë, por duhet të jesh gjithmonë gati. Kjo situatë është një sfidë dhe zakonisht sfidar e nxjerrin më të mirën dhe më të keqën nga njerëzit. Ti ose do të fundosesh si viktimë ose të përgjigjesh si një luftëtar”. 

(Kosova Sot Online)