Berbatov: Liverpoolit duhet t’i jepet titulli, e meriton

  • 07 April 2020 - 14:41
Berbatov: Liverpoolit duhet t’i jepet titulli, e meriton

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, ka rrezikuar ta humbë dashurinë e tifozëve të ish-klubit të tij me deklaratën e fundit, pasi që ka thënë se Liverpoolit duhet t’i jepet titulli i këtij sezoni të Anglisë, pavarësisht se çfarë ndodh me Premierligës, për shkak të dominimit që e ka arritur skuadra e Jurgen Kloppit.

Skuadra e Jurgen Kloppit, që radhitet me 25 pikë në krye tabelës së Premierligës, është vetëm dy fitore larg shpalljes kampione e Anglisë, trofe ky që i ka munguar Liverpoolit në tri dekadat e fundit.

Përkundër që Liverpooli e ka krijuar këtë dallim të madh me kundërshtaret në Premierligë, djemtë e Klopp nuk e kanë të sigurt marrjen e një trofeu në fund, për shkak të dyshimeve të shtuara se a do të mundë të përfundohet sezoni aktual shkaku i krizës së koronavirusit.

Premierliga ka vendosur që ta pezullojë përkohësisht ligën pa caktuar datë kthimi, duke shtuar kështu dyshimet se ka mundësi të anulohet sezoni dhe të mbetet Liverpooli pa titull.

“Nuk e di se çfarë vendimi do të ishte i drejtë për t’u marrë në këtë situatë. Çfarëdo vendimi që të merret nuk do të jetë një që mund të pëlqehet nga të gjithë”, ka thënë Berbatov.

“Njerëzit po sugjerojnë se Liverpoolit duhet t’i jepet titulli, dhe sinqerisht unë mendoj se ata e meritojnë për shkak të mënyrës se si kanë qenë duke luajtur, askush nuk do të mundë t’i arrinte ata”.

“Me mënyrën se si i kanë luajtur ata ndeshjet e veta, me futbollin që e kanë prodhuar dhe sa larg i kanë lënë kundërshtarët, ata e meritojnë plotësisht titullin këtë sezon”. 

(Kosova Sot Online)