Perez: S’e kuptoj pse më largoi Barcelona

  • 07 April 2020 - 14:51
Perez: S’e kuptoj pse më largoi Barcelona

Ish-futbollisti i Barcelonës, Carles Perez, thotë se klubi katalonas nuk ka durim me lojtarët e rinj, përderisa shton se nuk e kupton pse u shit në Romë gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi i kishte kaluar vitet e hershme të karrierës së tij në Camp Nou.

Carlez Perez u ngrit përmes akademisë La Masia si i ri, para se të debutojë në ekipin e parë të Barcelonës në vitin e parë. Megjithatë, ai u përball me shumë vështirësi në tentim për ta gjetur një vend në formacionin e Barcelonës.

Spanjolli arriti t’i bëjë vetëm 27 paraqitje gjithsej për klubin katalonas, përfshirë këtu shtatë në pjesën e parë të sezonit 2019/20, mirëpo klubi vendosi ta shesë atë gjatë afatit kalimtar të janarit.

Roma e mori Perezin fillimisht si huazim, mirëpo me opsionin për ta blerë atë për 11 milionë euro në qershor, kur futbollistit do t’i ofrohet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare.

“Unë vetëm po mendoj si të kem sukses në Romë. I kam edhe katër vjet në kontratë dhe jam i përqendruar te kjo. Nuk e kuptoj largimin tim, por e respektoj vendimin dhe e falënderoj klubin për trajtimin që ma ka dhënë gjatë viteve atje”, ka thënë Perez.

“Njerëzit flasin për akademinë, por nganjëherë ata preferojnë të shpenzojnë miliona dhe nuk kanë durim me lojtarët e rinj. Kështu është. Njerëzit duhet ta harrojnë të kaluarën time aty”. 

(Kosova Sot Online)