Shefi i La Ligës: Largimi i Messit s’na dëmton, e as s’ia zgjidh problemet Serisë A

  • 07 April 2020 - 19:19
Shefi i La Ligës: Largimi i Messit s’na dëmton, e as s’ia zgjidh problemet Serisë A

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, këmbëngul se largimi i mundshëm i Lionel Messit nga Barcelona për t’iu bashkuar Interit nuk do të ishte dramatik për kampionatin spanjoll, por as nuk do t’ia zgjidhte menjëherë problemet Serisë A.

Ideja që Messi ta braktisë Barcelonën është dukur shpesh imagjinare, por fjalosjet e kohëve të fundit mes argjentinasit të madhërishëm dhe bordit të klubit katalonas kanë bërë që largimi i tij të jetë skenar më i besueshëm.

Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, tha këtë javë se kalimi i mundshëm i Messit në Inter nuk është aspak ëndërr e parealizueshme.   

Largimi i Messit do të ishte goditje e rëndë për La Ligën dhe Barçën, sipas shumë njerëzve, duke qenë se ai është ndër lojtarët më të mirë në histori të sportit.

Por shefi i La Ligës Tebas këmbëngul se liga do të jetë gjithmonë e fortë, duke marrë shembull largimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi drejt Juventusit si dëshmi.

“Nuk mendoj se ardhja e Messit do t’i zgjidhte problemet Serisë A, klubet e të cilës kanë shumë borxhe dhe të ardhura të pamjaftueshme”, tha Tebas.

“Messi nuk mund t’i zgjidhë problemet ekonomike të Serisë A”, shtoi ai.

“Dikur u tha se pa Cristiano Ronaldon liga do të humbte para, por në fakt ne kemi fituar më shumë, madje edhe në Portugali. Lojtarët të ndihmojnë por nuk janë thelbësorë për një kampionat”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)