Testohet dhe dezinfektohet stadiumi Fadil Vokrri, i gatshëm për ndeshjet e Kombëtares

  • 07 April 2020 - 22:53
Testohet dhe dezinfektohet stadiumi Fadil Vokrri, i gatshëm për ndeshjet e Kombëtares

Në stadiumin Fadil Vokrri janë kryer rinovime të nevojshme në fushë dhe objektet dhe tani ai është i gatshëm për t’i mbajtur ndeshjet e ekipit kombëtar të Kosovës.

Gjatë kohës kur futbolli është pezulluar pothuajse në çdo vend të botës, përfshirë në Kosovë, deri në një kohë të papërcaktuar, në stadiumin e Prishtinës janë kryer disa punime të nevojshme, si është testuar ndriçimi.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se stadiumi është i gatshëm për t’i pritur ndeshjet e Kosovës.

“Gjithçka në rregull për ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares A, sonte u testuan edhe dritat në  Stadiumin Fadil Vokrri. Është rikuperuar fusha, janë rinovuar objektet përcjellëse; është dezinfektuar gjë që rezulton se ai është i gatshëm për sfidat e radhës të Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Ademi.

Megjithatë, Kosova nuk do të mundë të luajë në kryeqytet të paktën deri në muajin shtator, atëherë kur nis fushatën në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Kosova pritet të luajë gjatë verës, ose më së largu në vjeshtë, në play-off të Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 – i cili do të mbahet më 2021 shkaku i pandemisë koronavirus – por gjysmëfinalen ndaj Maqedonisë së Veriut do ta zhvillojë në Shkup. Finalen e mundshme do ta luajë në shtetin e fituesit të duelit tjetër gjysmëfinale Bjellorusi – Gjeorgji. 

(Kosova Sot Online)