Mourinho dhe lojtarët e tij thyejnë rregullat e vetizolimit

  • 08 April 2020 - 10:28
Mourinho dhe lojtarët e tij thyejnë rregullat e vetizolimit

Tottenhami ka dalë me deklaratë për ta theksuar rëndësinë e vetizolimit, pasi dolën pamje ku shiheshin Jose Mourinho dhe disa nga lojtarët e Tottenhamit duke e bërë një seancë stërvitore, duke i shkelur kështu rregullat e vetizolimit.

Futbolli në pothuajse të gjitha vendet ka qenë i pezulluar që nga muaji i kaluar për shkak të përhapjes së koronavirusit në botë. Për shkak të masave që janë ndërmarrë, klubet e kanë pasur të pamundur të mbajnë edhe seanca stërvitore, për të mos e rrezikuar shëndetin e lojtarëve.

Megjithatë, mbrojtësit e Tottenhamit, Davinson Sanchez dhe Ryan Sessegon, u incizuan përderisa vraponin përkrah njëri-tjetrit të martën, që shkon kundër rregullave të qeverisë për mbajtjen e distancës për dy metra përderisa je në publik me këdo që s’është familjar i yti.

Ndërsa, Mourinho u pa duke e përcjellë një tjetër seancë stërvitore të improvizuar për Tanguy Ndombele. Megjithatë, trajneri i Tottenhamit insiston se të gjitha masat e caktuara nga qeveria britanike u respektuan gjatë seancës stërvitore.

Tottenhami është përgjigjur ndaj këtij incidenti, duke ia kujtuar lojtarëve të vet situatën aktuale sa i përket krizës së koronavirusit.

“Të gjithë lojtarëve tanë ua kemi kujtuar se duhet ta respektojnë distancën sociale kur ushtrojnë jashtë. Ne do të vazhdojmë ta theksojmë këtë mesazh”, ka thënë zëdhënësi i klubit londinez. 

(Kosova Sot Online)