Sulmuesi Mane e lavdëron Kloppin: Ai i ngre lojtarët në një nivel tjetër

  • 08 April 2020 - 11:20
Sulmuesi Mane e lavdëron Kloppin: Ai i ngre lojtarët në një nivel tjetër

Sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane, e ka lavdëruar trajnerin e tij, Jurgen Kloppin, duke thënë se gjermani ka qenë në gjendje t’i ngre lojtarët e vet në një nivel më të lartë.

Jurgen Klopp e ka fituar reputacionin si njëri ndër trajnerët më të mirë në botë, pasi që arriti ta fitojë dy herë radhazi titullin e Bundesligës me Borussia Dortmundin, para se t’i bashkohej Liverpoolit në vitin 2015.

52-vjeçari arriti të triumfojë edhe në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar me Liverpoolin, ndërsa këtë sezon ka arritur ta krijojë një epërsi prej 25 pikësh në krye të tabelës së Premierligës, përderisa liga për momentin është pezulluar shkaku i koronavirusit.

Mane ka qenë njëri ndër lojtarët më kyç të Kloppit në Anfield, përderisa senegalezi ka shkëlqyer me paraqitjet e tij dhe arriti ta ndajë Këpucën e Artë të sezonit të kaluar me Pierre-Emerick Aubameyangun e Arsenalit dhe bashkëlojtarin e tij, Mohamed Salahun.

27-vjeçari nuk ka asnjë dyshim se skuadra e Liverpoolit s’do të kishte qenë në nivel kaq të lartë nëse s’do ta kishte pasur për trajner Jurgen Kloppin.

“Jurgen është një trajner i mrekullueshëm. Ai është gjithmonë pozitiv, edhe kur humbasim dhe gjithmonë i gjen fjalët e duhura për të dhënë atë shtyrjen shtesë që të duhet për të fituar sërish”, ka thënë Mane.

“Ai di si t’i ngre lojtarët në një nivel më të lartë, edhe atëherë kur ata mendojnë se nuk mund të vazhdojnë të luajnë më”. /Gazeta Express/

(Kosova Sot Online)