Haaland tregon si i ndihmoi Solskjaer të bëhet lojtari që është sot

  • 08 April 2020 - 11:23
Haaland tregon si i ndihmoi Solskjaer të bëhet lojtari që është sot

Ylli norvegjez i Borussia Dortmundit, Erling Haaland, ka sqaruar se si e kishte udhëzuar ish-trajneri i tij në klubin norvegjez Molde, Ole Gunnar Solskjaer, që të bëhet sulmues më i mirë.

Erling Haaland është bërë njëri ndër talentet më premtuese në futbollin evropian, duke arritur t’i shënojë plot 12 gola në 11 paraqitjet e tij për Dortmundit, ku u transferua në janar nga Red Bull Salzburgu.

19-vjeçari e ka bërë një ngritje të shpejtë në futbollin evropian që kur debutoi për herë të parë si futbollist profesionist në vendlindjen e tij në Norvegji, për Molden si 16-vjeçar.

Solskjaer, i cili tani është trajner i Manchester Unitedit, ishte trajner i Moldes gjatë kohës sa edhe Haaland ishte atje. Ish-sulmuesi legjendar i Djajve të Kuq ia kishte dhënë disa këshilla Haalandit për të pasur sukses më të madh si sulmues.

Haaland e kujtoi një periudhë në fillim të karrierës së tij kur nuk po arrinte të shënonte, të cilën e kishte përfunduar duke i shënuar katër gola në ndeshjen kundër Brann në korrik të vitit 2018.

“E mbaj mend se ishte një periudhë shumë irrituese si sulmues i ri, gjithçka shkonte kundër meje në stërvitje”, ka thënë Haaland në një intervistë të dhënë për Eurosport.

“Unë isha vetë me portierin dhe shtyllën, prisja harkime nga Ole Gunnar, por e humbja çdo rast. E mbaj mend që Ole pastaj më tha: “Mendoj se do të jesh titullar në këtë ndeshje, kështu që bëhu gati”.

“Solskjaer dhe unë bënim ushtrime të shumta për goditje, jo vetëm harkime. E mbaj mend se ai m’i kishte mësuar disa rregulal të lehta. Mësimi i parë kishte qenë si të shënoj me vetëm një prekje, pastaj të mos gjuaj me më shumë fuqi sesa që duhet në tentim për ta shkatërruar portën apo portierin”.

“Mendoj se unë po mendoja që duhet ta bëja atë gjë dhe kur ai më tha që jo, kjo ishte diçka e re për mua. Unë u stërvita pak edhe për këtë, por pa shënuar. Por, të paktën e dija se i kisha bërë ato ushtrime kur hyja në ndeshje”.

“Ai më ka mësuar se si të jem i qetë dhe që duhet të jem në gishtërinjtë e këmbës dhe t’i gjej ato hapësira kur të vjen topi. Pastaj e ke mundësinë të shënosh. Ai i ka meritat që m’i ka mësuar këto gjëra”. 

(Kosova Sot Online)