Interi shpreh interesim për Kumbullën, e sheh si zëvendësues për Godinin

  • 08 April 2020 - 13:15
Interi shpreh interesim për Kumbullën, e sheh si zëvendësues për Godinin

Mbrojtësi Diego Godin është spekuluar për një largim nga Interi në fund të këtij sezoni, gjatë afatit kalimtar të verës. Me shitjen e tij, zikaltrit mund t’i shpëtojnë 20 milionë euro në paga, të cilat thuhet se mund t’i investojë për transferimin e mbrojtësit shqiptar Marash Kumbulla.

Diego Godin kaloi në Inter si transferim i lirë nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, kur i skadoi kontrata me Atletico Madridin.

Megjithatë, ai nuk ka arritur ta dëshmojë veten ashtu siç kishte synuar dhe nuk ka arritur të zë vend në formacionin e parë të zikaltërve, pasi që trajneri Antonio Conte ka preferuar të luajë me lojtarë të tjerë në vend të tij.

Përfaqësuesi uruguaian mund ta vazhdojë karrierën e tij në ndonjë klub tjetër për sezonin e ardhshëm, mirëpo paga e tij e lartë mund të jetë problem dhe mund t’i largojë klubet e interesuara për të.

Ish-kapiteni i Atletico Madridit i fiton rreth pesë milionë euro në vit, plus shtesat, në Inter dhe kontrata e tij me gjigantin italian është e vlefshme deri në vitin 2022.

Calciomercato.com pretendon se Interi mund t’i shpëtojë deri në 20 milionë euro në paga, përderisa gazetat e ndryshme italiane kanë raportuar se Interi po e sheh mbrojtësin shqiptar të Hellas Veronës, Marash Kumbullën, si zëvendësues të tij.

Megjithatë, po të njëjtat mediume italiane theksojnë se asnjë veprim i mëtutjeshëm nuk do të bëhetd derisa t’i vijë Interit një ofertë zyrtare për Godinin. 

(Kosova Sot Online)