Mata nxit spekulimet me lëvdatat për Sanchon

  • 10 prill 2020 - 09:21
Mata nxit spekulimet me lëvdatat për Sanchon

Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, e ka vlerësuar Jadon Sanchon si një lojtar të mrekullueshëm, duke i nxitur kështu edhe më shumë spekulimet për një transferim të yllit të Borussia Dortmund në Old Trafford.

Jadon Sancho ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë sezonit 2019/20 në Bundesligë dhe tashmë ka arritur të bëhet lojtari i parë që i shënon 25 gola në Bundesligë para se t’i mbushë 20 vjeç.

Anglezi më parë e kishte thyer rekordin e Horst Koppels, kur ishte bëri lojtari më i ri që i kishte shënuar 22 gola në ligën elitare të futbollit në Gjermani, pas golit të tij në barazimin 3:3 me RB Leipzigun më 17 dhjetor.

Ndikimi i tij si me Dortmundin në Gjermani, ashtu edhe me Kombëtaren e Anglisë, ka bërë që shumë klube të Premierligës ta monitorojnë situatën e tij në Dortmund, për t’i siguruar shërbimet e futbollistit që konsiderohet si njëri ndër talentet më premtuese në futbollin evropian.

Sulmuesi anësor i Borussia Dortmund vazhdon të jetë i përfolur për një transferim në Old Trafford, pasi thuhet se Manchester Unitedi është i gatshëm të shpenzojë shumë të madhe parash për ta transferuar futbollistin e shumëkërkuar.

“Çfarë doni të ju them? Të gjithë e dimë se ai është lojtar i mrekullueshëm. Ai po e kalon një sezon fantastik në Borussia, por ju e dini se s’është në përgjegjësinë time të flas për këto gjëra”, tha Mata në Instagram Live.

“Natyrisht, më pëlqen si lojtar, por s’mund të përgjigjem se a do të vijë ai në Manchester United”.

Manchester Unitedi thuhet se ka qenë në kontakt me agjentin  e Sanchos, mirëpo transferimi i futbollistit në Old Trafford nuk pritet të jetë aspak i lehtë.

Dortmundi nuk pranon ta ulë çmimin kërkues prej 110 milionë eurosh për shitjen e Sanchos, përkundër shqetësimeve se këto plane mund të duhet të ndryshojë shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

(Kosova Sot Online )