Vazhdon debati për pagat e futbollistëve në Angli, kryetari i Shoqatës kritikon qeverinë

  • 10 prill 2020 - 09:24
Vazhdon debati për pagat e futbollistëve në Angli, kryetari i Shoqatës kritikon qeverinë

Kryetari i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë në Angli dhe Uells, Gordon Taylor, e ka kritikuar qeverinë e Britanisë së Madhe, pasi që beson se kjo qeveri i ka vënë në një pozitë të vështirë lojtarët e Premierligës.

Përderisa pandemia koronavirus po vazhdon ta paralizojë futbollin, pagat e larta të futbollistëve kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur është vendosur të pezullohen përkohësisht ligat në Britani të Madhe dhe pothuajse kudo në botë.

Vendimet e klubeve si Tottenham dhe Liverpool për t’i liruar nga puna punëtorët e stafit josportiv kanë bërë që klubet të kritikohen ashpër, pasi që qeveria do të duhet të ndajë para për ata punëtorë, përderisa klubet e Premierligës janë mjaft të pasura dhe të mund t’ia lehtësonin barrën qeverisë duke i paguar vetë ata punëtorë.

Sekretari i Shëndetësisë në qeverinë britanike, Matt Hancock, ka qenë njëri ndër politikanët e shumtë që ka kërkuar nga futbollistët të pranojnë t’u ulen pagat, mirëpo Shoqata e Futbollistëve Profesionistë beson se anëtarët e vet janë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme.

“Lojtarët e Premierligës ndiheshin se ishin vënë në një pozitë të keqe – veçanërisht nga qeveria”, tha Taylor.

“Ata e panë si ironi faktin që edhe nëse ata pranonin t’i ulnin pagat… ato para do të ishin të humbura për qeverinë dhe kjo nuk do të ishte shumë produktive”,

“Lojtarët janë të gatshëm ta bëjnë pjesën e vet të kontributit. Ata ishin të shqetësuar që ishin vënë në atë pozitë për t’i ulur pagat, edhe pse ne kishim qenë duke diskutuar për një gjë të tillë”.

Në deklaratën e lëshuar së fundi, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, tha se nuk mendon që ulja e pagave të lojtarëve për 30 për qind është zgjidhja më e mirë.

Këtë pretendim Shoqata e argumentoi duke thënë se qeveria britanike do t’i humbë mbi 200 milionë funte nga taksat e pagave të lojtarëve nëse pagat e tyre ulen për 30 për qind, duke sugjeruar se do ta gjejnë një mënyrë që të ndihmohen shërbimet publike e jo të ulen pagat pasi që në këtë mënyrë ndihmohen vetëm pronaret e klubeve dhe dëmtohen ata që kanë nevojë.

(Kosova Sot Online )