Zyrtari i Barcelonës që dha dorëheqje del me akuza për skandalin e rrjeteve sociale

  • 10 April 2020 - 14:15
Zyrtari i Barcelonës që dha dorëheqje del me akuza për skandalin e rrjeteve sociale

Zëvendëspresidenti i Barcelonës që dha dorëheqje sot, Emili Rousaud, ka dalur me akuza drejt drejtuesve të tjerë të klubit katalonas sa i përket skandalit të rrjeteve sociale, që e ngjalli një krizë në Camp Nou në fillim të këtij viti.

Zëvendëspresidentët Emili Rousaud dhe Enrique Tombas janë në mesin e anëtarëve të bordit që kanë dhënë dorëheqje, bashkë me Silvio Elias, Maria Teixidor, Josep Pont dhe Jordi Clasamiglia.

Dorëheqjet e tyre u konfirmuan përmes një letre të ashpër drejt Bartomeut, pasi që ata kërkuan që të rizgjidhen anëtarët e bordit sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u siguruar që Barcelona të mundë të kthehet nga sfidat me të cilat po e përball koronavirusi.

Bartomeu, i cili ka qenë në krye të gjigantit spanjoll që nga korriku i vitit 2015, ka qenë nën presion të madh në pozitën e presidentit gjatë këtij sezoni.

Këtë javë u raportua se Bartomeu po tentonte t’i detyrë disa anëtarë të bordit të japin dorëheqje, pasi që mendonte se ata nuk janë besnikë ndaj tij. Më së shumti ai dëshironte ta largonte Rousandin, i cili konsiderohet si pasardhësi i tij në pozitën e presidentit.

E tani, ky i fundit ka dalë më akuza drejt presidentit e drejtuesve të tjerë të Barcelonës, të cilët ishin të përfshirë në skandalin e këtij viti të Barcelonës, ku u raportua se klubi kishte paguar milionë euro për një kompani të rrjeteve sociale, e cila e kishte detyrë t’i kritikonte personalitete të klubit si Lionel Messi e Gerard Pique, si dhe legjendat si Xavi, Andres Iniesta e edhe Pep Guardiolën.

Kompania në fjalë e kishte për detyrë edhe t’i promovonte veprimet e Bartomeut, përderisa grupi i drejtorëve që dha dorëheqje sot, përmes një letre, tregoi se nuk ka qenë i përfshirë në këtë skandal.

“Nuk e di se kush mund të ketë qenë. Kur paguan milionë euro për diçka që vlen vetëm 100 mijë euro… Unë nuk e di kush e bëri, por mund ta kem një ide”, ka thënë Rousaud.

Miliona eurot që Rousaud i përmend i referohen parave që Bartomeu i kishte shpenzuar për rrjetet sociale.

“Ai e ndau pagesën në disa faza në mënyrë që ta shmangë ndonjë kontroll nga komisionet. Tani ka nisur një hetim që do të tregojë se si ka shkuar gjithçka. Bartomeu e di këtë”.

“Çështja e rrjeteve sociale është e ndyrë. Mendoj se dikush ka pasur dorë në këtë, por nuk e di kush. Edhe pse nuk mendoj se është dikush që është në bord tani”.

E përditshmja spanjolle, Marca, raporton se ky person është Jaume Masferrer, i cili u lirua nga detyra e tij pikërisht për skandalin me rrjetet sociale.

(Kosova Sot Online)