Juventus, i gatshëm të luftojë për Haalandin

  • 10 April 2020 - 14:58
Juventus, i gatshëm të luftojë për Haalandin

Juventusi raportohet se është duke i mbikëqyrur të gjitha lëvizjet e klubeve të tjera lidhur me Erling Braut Haalandin e Borussia Dortmundit, kjo pasi që bardhezinjtë janë të gatshëm të tentojnë për herë të tretë ta transferojë norvegjezin.

Gazeta italiane Calciomercato shkruan se drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, kishte tentuar fillimisht ta sjellë Erling Haalandin në Allianz në vitin 2018, sa norvegjezi kishte qenë ende pjesë e Moldes.

Në atë kohë, adoleshenti norvegjez kishte zgjedhur të transferohej te klubi austriak Red Bull Salzburg, ku u bë menjëherë protagonist dhe i rregullt në formacionin e parë, përkundër moshës së tij.

Gjatë afatit kalimtar të janarit, bardhezinjtë ishin sërish të përfolur për transferimin e yllit të talentuar, i cili megjithatë preferoi të shkojë në Borussia Dortmund për ta zhvilluar edhe më tutje talentin e vet dhe ku i ka shënuar nëntë gola në tetë ndeshje të Bundesligës gjermane.

Pas paraqitjeve mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve, me tetë gola të shënuara në fazën e grupeve, si dhe në ligën austriake në pjesën e parë të sezonit, 19-vjeçari ishte kërkuar nga shumë prej klubeve më të mëdha të Evropës.

Calciomercato raporton se Juventusi është ende i interesuar për të mësuar më shumë për situatën e të riut në Westfalenstadion. Drejtuesit e Juventusit po llogaritin në agjentin e Haalandit, Mino Raiolan, për të marrë informata për të gjitha ofertat për Haalandin.

Juventusi është i gatshëm të luftojë për t’i siguruar shërbimet e norvegjezit të shumëkërkuar, mirëpo mund t’i duhet të presë një vit ose dy për ta arritur këtë qëllim. 

(Kosova Sot Online)