Konfirmohet dëshira e Coutinhos për t’u kthyer në Premierligë

  • 11 April 2020 - 19:55
Konfirmohet dëshira e Coutinhos për t’u kthyer në Premierligë

Pas dështimit të tij në Camp Nou, Barcelona po e ka të vështirë ta gjejë një zgjidhje për të ardhmen e Philippe Coutinhos, përderisa agjenti i futbollistit e ka zbuluar dëshirën e klientit të tij për t’u kthyer në Premierligë.

Mesfushori brazilian, Philippe Coutinho, nuk pritet të kthehet në Barcelonë në fund të këtij sezoni, pasi që nuk është i dëshiruar atje as nga trajneri e as nga drejtuesit e klubit.

Coutinho nuk pritet të mbetet as në Bayern Munich, ku është i huazuar aktualisht, për shkak se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta fituar besimin në Allianz Arena. Megjithatë, ai po shpreson që do të arrijë të kthehet në Premierligë, ku e kishte shfaqur formën e tij më të mirë në karrierë.

Kia Joorabchian, njëri ndër përfaqësuesit e ish-mesfushorit të Liverpoolit, e bëri të qartë situatën aktuale rreth të ardhmes së Coutinhos.

“Coutinho do të ishte shumë i kënaqur me një kthim në Premierligë”, sqaroi Joorbachian, në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Ai gjithmonë e ka shijuar veten atje dhe i pëlqente shumë liga sa ishte aty. Do t’i pëlqente shumë të luante atje sërish”.

Bayern Munichu e kishte marrë Coutinhon si huazim gjatë verës së kaluar për një sezon, megjithatë ai nuk ka arritur të kontribuojë mjaftueshëm në tentimin e klubit bavarez për ta marrë sërish titullin e Bundesligës.

Gjiganti gjerman s’do ta shfrytëzojë opsionin për ta blerë futbollistin, i cili kushton 120 milionë euro, mirëpo Barcelona do të tentojë ta shesë atë diku tjetër, përkundër që s’ka marrë ende asnjë ofertë për të. 

(Kosova Sot Online)