Pogba: Jam i irrituar, por mezi pres të kthehem në stërvitje me Unitedin

  • 11 April 2020 - 21:26
Pogba: Jam i irrituar, por mezi pres të kthehem në stërvitje me Unitedin

Paul Pogba e ka pranuar se ai është irrituar nga lëndimet e shumta që ia kanë pamundësuar të luajë në shumë ndeshje për Manchester Unitedin këtë sezon, mirëpo ka thënë se është i “uritur” të kthehet te skuadra e Djajve të Kuq, përderisa atë po vazhdojnë ta rrethojnë spekulimet për të ardhmen e tij.

Problemet me lëndime të shumta gjatë këtij sezoni kanë bërë që mesfushori francez, Paul Pogba, të ketë mundësi të luajë në vetëm tetë ndeshje gjatë gjithë sezonit 2019/20 deri kur u pezulluan ligat përkohësisht.

Ai po bëhej gati për t’u kthyer në fushën e lojës në Old Trafford kur e gjithë bota u godit nga virusi Covid-19 dhe futbolli u pezullua përkohësisht që të mos përhapet edhe më shumë kjo pandemi.

Kjo ka bërë që Pogba ta ketë të pamundur të kthehet në fushën e blertë, përderisa ky sezon mbetet një sezon për t’u harruar për të personalisht. Ai vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, shkaku i spekulimeve për të ardhmen e tij.

“Kam qenë i irrituar që një kohë të gjatë. Tani, pothuajse kam arritur të shërohem, kështu që po mendoj vetëm që të kthehem dhe të stërvitem plotësisht me skuadrën dhe gjithçka tjetër të tillë”, ka thënë Pogba për faqen zyrtare të Djajve të Kuq.

“Ju mendoni që është keq, por unë s’kam përjetuar kurrë diçka të tillë në karrierën time, kështu që gjithmonë e marr në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Kjo më ka bërë edhe më të uritur të kthehem dhe të luaj mirë. Dhe po, kjo vetëm po ma dëshmon sa shumë e dua futbollin. Duhet të kemi shumë durim, sepse, epo kur jemi te lëndimet e mia, nuk e di nëse njerëzit e dinë me të vërtetë çka ndodhi”.

“Unë e kisha një lëndim në këmbë, që e pësova në ndeshjen kundër Southamptonit. Ishte në fillim të këtij sezoni dhe unë e pata atë për një kohë të gjatë, por po stërvitesha dhe po tentoja të luaja ashtu. Luajta në ato dy ndeshje kundër Ëatfordit dhe Neëcastle, dhe e ndjeva sërish atë lëndim”.

“Kështu që  bëra operacion dhe ja ku jam tani. Nuk po ndiej asgjë dhe shpresoj se do të mund të kthehem sa më shpejt. Mezi po pret ta përjetoj ndjenjen e të qenit në lojë sërish. Më mungon sepse kjo është puna ime, të luaj futboll. E shijoj me të vërtetë këtë punë timen”. 

(Kosova Sot Online)