Klubi italian furnizon tifozët me ushqime

  • 11 April 2020 - 22:10
Klubi italian furnizon tifozët me ushqime

Klubi italian Udinese është duke organizuar një iniciativë për t’u dërguar ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera esenciale tifozëve më të vjetër në moshë, të cilët kanë blerë bileta sezonale, gjatë kohës sa zgjat karantina.

Udinese e bëri të ditur fillimin e kësaj iniciative, me qëllimin që t’i motivojë të gjithë t’u ndihmojnë personave mbi moshën 65-vjeçare, pasi që janë më të rrezikuar nga koronavirusi dhe kanë nevojë për ndihmën e më të rinjve për t’u pajisur me gjërat esenciale.

Përmes kësaj iniciative, Udinese synon t’ua bëjë më të lehtë njerëzve të kësaj grupmoshe ta mbajën distancën sociale dhe ta limitojnë sa më shumë daljen nga shtëpia.

“Në këtë moment të paprecedent, ne dëshirojmë që të kontribuojmë edhe ne bashkë me partnerët tanë dhe tifozët që kanë bileta sezonale, duke filluar nga fëmijët që punojnë me Udinese Junior Club e tani me tifozët mbi moshën 65-vjeçare”, shkroi Udinese.

Shërbimi do të jetë në dispozicion për tifozët që jetojnë në provincat e Udineses, Triestes dhe Pordenones, përderisa klubi ka bërë thirrje që tifozë të tjerë të dalin si vullnetarë për ta bërë shpërndarjen e ndihmave.

Kur të kalojë kriza e koronavirusit, stadiumi i Udineses, Dacia Arena, do të jetë e hapur një ditë të veçantë të dedikuar për vullnetarët, të cilët do të marrin bileta falas për një ndeshje të Udineses. 

(Kosova Sot Online)