Klubi i Januzajt bëhet i pari në Spanjë që vendos t’i rinisë stërvitjet

  • 11 April 2020 - 22:11
Klubi i Januzajt bëhet i pari në Spanjë që vendos t’i rinisë stërvitjet

Real Sociedad, ku luan përfaqësuesi belg me orgjinë nga Kosova Adnan Januzaj, do të bëhet javën e ardhshme klubi i parë i La Ligës që ia rinis seancat stërvitore, të cilët u pezulluan rreth një muaj më parë shkaku i virusit Covid-19.

Klubi spanjoll e bëri të ditur planin për t’ia rinisur seancat stërvitore me skuadrën të martën e ardhshme në kampin Zubieta, në pajtim me vendimin e qeverisë për t’ia zbutur disa vendime lidhur me masat parandaluese.

Nga e hëna, shumë biznese joesenciale do ta kenë mundësinë t’ia rinisin punës, pasi ishte vendosur që të gjitha ato të mbylleshin më 30 mars, kur Spanja kishte qenë në krizë të madhe shkaku i përhapjes së shpejtë të koronavirusit.

Ndërkohë, tani Real Sociedadi e ka caktuar 14 prillin si datën e rinisjes së seancave stërvitore dhe në propozimin e vet ka bërë të ditur se do të ndiqen hapa të ngjashëm me ata të klubeve gjermane, si Bayern Munich e Wolfsburg.

Në propozimin e Real Sociedadit thuhet që lojtarët do të stërviten në grupe të vogla prej dy apo tre lojtarëve, do të përdoren pjesë të ndryshme të kampit stërvitor dhe zhveshtoreve dhe do të ketë distancë minimale prej 2 metrash mes lojtarëve.

Klubi gjithashtu do të rekomandojë që të gjithë lojtarët dhe stafi i ekipit të parë të testohen për virusin Covid-19, përderisa të gjithë lojtarët do të jenë të detyruar të pastrohen para se të kthehen në shtëpi. 

(Kosova Sot Online)