Kapiteni i Dritës: Të mos i jepet Ballkanit titulli nëse sezoni s’vazhdon

  • 11 April 2020 - 22:47
Kapiteni i Dritës: Të mos i jepet Ballkanit titulli nëse sezoni s’vazhdon

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, ka thënë se askujt nuk duhet t’i jepet trofeu i Ipko Superligës së Kosovës për këtë sezon, nëse kampionati vendoset të përfundohet para kohe dhe të mos zhvillohen ndeshjet e mbetura.

Sezoni 2019/20 i Ipko Superligës së Kosovës është pezulluar përkohësisht shkaku i përhapjes së koronavirusit, që ua ka pamundësuar klubeve jo vetëm t’i zhvillojnë ndeshjet, por edhe të mbajnë seanca stërvitore.

Kampionati u pezullua në një moment kur gara për titullin ishte mjaft e zjarrtë, me katër klubet e para që kishin dallim prej vetëm tre pikësh mes vete.

Megjithatë, lider i tabelës është aktualisht Ballkani, e përderisa garë e ngushtë është edhe në zonën e rrezikut, ku për momentin radhiten Trepça ’89, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini.

Lidhur me këtë çështje, kapiteni i Dritës, Ardian Limani, ka thënë se titulli nuk duhet ti jepet askujt nëse kampionati nuk vazhdon.

“Se pari unë shpresoj shumë që kampionati të vazhdoj, e ne ti kthehemi jetës normale”, ka thënë Limani.

“Mirëpo, nëse vendoset që kampionati të anulohet, atëherë mendimi im personal është që më mirë do të ishte të mos jepet titull për askënd”.

“Skuadrat të kalojnë në garat evropiane sipas pozitave përkatëse, ndërsa të behet një Play-Off për skuadrat që bien nga liga”. 

(Kosova Sot Online)