Vdes piloti legjendarë i Formulës 1

  • 13 April 2020 - 17:15
Vdes piloti legjendarë i Formulës 1

Vdes piloti legjendarë i Formulës 1

Ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare një ndër pilotët legjendarë të Formulës 1, Stirling Moss. Bota e automobilizmit është në zi për humbjen e njërit prej pilotëve më të mëdhenj të viteve ‘50, një periudhë sa e artë po aq edhe e vështirë, pasi bëhej fjalë për gara të zhvilluara në rrethana të tjera, pa pistat që janë sot dhe në mënyrë të kuptueshme pa masat mbrojtëse të kohëve tona.

Që të gjithë pilotët e atyre kohëve mund të vlerësohen si heronj, megjithatë Stirling Moss mund të konsiderohet me plot gojën si piloti më i pafat në botën e Formulës 1, pasi piloti londinez në karrierën e tij i ka shkuar vërtet shumë pranë titullit botëror, por gjithmonë për një arsye apo një tjetër dështoi pikërisht në fazat përmbyllëse të kampionatit. Pavarësisht titujve të njëpasnjëshëm të argjentinasit Juan Manuel Fangio, për specialistët e kohës edhe piloti britanik kishte po të njëjtat karakteristika me “El maestron”.

Fangio konsiderohet si piloti më i madh i të gjitha kohërave, pasi asokohe mjeshtri i pavdekshëm argjentinas fitoi 5 tituj kampion bote në kampionatin e pilotëve me makina të ndryshme si Alfa Romeo, Maserati, Mercedes dhe Ferrari, statistika që ditëve të sotshme janë të pamendueshme në botën e Formulës 1. Mjafton të përmendet fakti që Lewis Hamilton sot u gëzohet fitoreve të njëpasnjëshme me të njëjtën markë, por gjithashtu edhe me makinën më të mirë në qarkullim.

Bëhet fjalë për kohë të tjera dhe gara legjendare, sidoqoftë Stirling Moss gjatë asaj periudhe u shpall plot 4 herë nënkampion bote në kategorinë e pilotëve. Për të konfirmuar madhështinë e pilotit nga West Kensingtoni, lagje që ndodhet vetëm 5 km larg qendrës së kryeqytetit britanik, mjaton të kujtohet fakti që ai fitoi 212 nga 529 garat e zhvilluara në botën e automobilizmit, në kategori të ndryshme, që nga viti 1948 e deri në 1962, vit kur edhe Stirling Moss u tërhoq përfundimisht. Në momentin kur vendosi ta mbyllë përfundimisht me sportin e automobilizmit, Moss ishte gjithashtu edhe piloti me më shumë gara në botën e Formulës 1.

Sipas Enzo Ferrarit, shpikësi i driftit konsiderohet italiani Tazio Nuvolari, megjithatë ai që e bëri të famshme këtë lloj teknike nëpër kthesa është pa dyshim Stirling Moss. Ashtu si në diskutimin e dyshes Ayrton Senna – Michael Schumacher, edhe për kohën ka patur debate të shumta në lidhje me rivalitetin e ashpër Fangio – Moss, gjithsesi statistikat tregojnë se argjentinasi e mbylli karrierën me 24 fitore, 35 podiume dhe 29 “pole position” në vetëm 52 gara gjithsej, ndërsa Stirling Moss në 67 garat ku mori pjesë regjistroi 16 fitore, 16 “pole position” dhe 24 podiume.

Për kohën vetëm Juan Manuel Fangio dhe Jim Clark mund të krahasoheshin me talentin dhe aftësitë e britanikut Stirling Moss. Një arsye e fortë ndoshta që piloti londinez nuk u shpall kurrë kampion bote është edhe fakti se Moss këmbënguli vazhdimisht gjatë karrierës së tij për të garuar vetëm me skuadra private, mbi të gjitha angleze, duke preferuar sidomos ekipet e drejtuara nga miku i tij i ngushtë, Rob Walker, gjë që natyrisht në fund penalizoi dukshëm edhe talentin e tij.

Pikërisht për shkak të problemeve dhe besueshmërisë së makinës Stirling Moss dështoi për të fituar titullin në kampionatin e pilotëve në vitin 1958, që ishte edhe viti i fundit i Fangios në këtë sport, por gjithashtu edhe 12 muaj më vonë, kur piloti i famshëm britanik fitoi katër gara, ndërsa në një tjetër u pozicionua në vendin e dytë, gjithsesi për fatin e tij të keq këto suksese u shoqëruan nga plot pesë gara të mbyllura me tërheqje për shkak të problemeve mekanike.

Thjesht për të krijuar një ide për pafatësinë e tij, në këtë vit titulli për pilotë u fitua nga bashkëkombasi i tij, Mike Hawthorn, që e përfundoi sezonin duke fituar vetëm një garë gjithsej. Në vitin 2016 Moss pësoi një infeksion në gjoks dhe u shtrua me urgjencë në spitalin e Singaporit, ku qëndroi i shtruar për plot 134 ditë. Më pas u kthye në shtëpi, për të marrë veten, sidoqoftë sëmundja bëri që ai të tërhiqej përfundimisht nga jeta publike. Ai do të mbahet mend gjithashtu si piloti që ishte në gjendje të shfaqej kompetitiv me çfarëdolloj mjeti në dispozicion dhe për arritjet e tij në sport Stirling Moss vite më pas u nderua gjithashtu edhe nga Mbretëresha Elizabeth me titullin Sir. 

(Kosova Sot Online)