Ramos mbetet edhe më tutje pa kontratë të re

  • 14 April 2020 - 11:35
Ramos mbetet edhe më tutje pa kontratë të re

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, ka kontratë të vlefshme deri më 2021 dhe klubi nuk e ka telefonuar as atë e as agjentin e tij ende. Nëse atij nuk i rinovohet kontrata, ai do të shkojë në Kampionatin Evropian si lojtar pa klub.

Bisedimet për rinovimin e kontratës së Sergio Ramosit janë pezulluar. AS raporton se Real Madridi nuk e ka telefonuar ende as Ramosin e as agjentin e tij. Por, Los Blancos nuk po e konsideronin atë si prioritet as para se të vinte kriza e koronavirusit.

Marrëveshja aktuale e Ramosit është e vlefshme deri në vitin 2021 dhe Real Madrid mendon se mund t’i shtyjë këto negociata deri në mes të sezonit të ardhshëm.

Real Madridi ia kishte ofruar fillimisht Ramosit edhe një vit shtesë në kontratën e re, mirëpo 35-vjeçari dëshiron t’i ketë edhe dy  vjet kontratë, përkundër që ai e kupton se klubi e ka një rregull të caktuar kur merret me kontratat e lojtarëve mbi një moshë të caktuar.

“Unë e kuptoj se pasi lojtarët ta kalojnë një moshë të caktuar, Real Madridi ua rinovon kontratat vit pas viti”, kishte thënë Ramosi, në një intervistë të dhënë në shkurt.

Kriza ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi mund të përfundojë duke e dëmtuar Ramosin, i cili është lojtari më i paguar në skuadër pas Gareth Bale. Oferta e Real Madridi mund të rezultojë të jetë më e ulët sesa kontrata aktuale e futbollistit.

Megjithatë, në favor të Ramosit është shtyrja e Kampionatit Evropian këtë verë, përderisa Real Madridi përballet me mundësinë që Ramosi ta mbajë shiritin e kapitenit të Spanjës në Evropianin e verës së ardhshme para se të nënshkruajë për një klub tjetër.

(Kosova Sot Online)