FFK-ja i publikon marrëveshjet dhe ndihmat ndaj klubeve, pas ankesave të disa klubeve të Superligës

  • 14 April 2020 - 18:06
FFK-ja i publikon marrëveshjet dhe ndihmat ndaj klubeve, pas ankesave të disa klubeve të Superligës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka publikuar marrëveshjet dhe projektet e nisura bashkë me pasqyrat e ndihmave financiare për klubet e futbollit në vend, duke këmbëngulur në transparencën e vet, pas ankesave të disa klubeve të Ipko Superligës.

Të gjitha sportet në mbarë botën, përfshirë Superliga në Kosovë, janë pezulluar para gati një muaji për shkak të pandemisë koronavirus dhe nuk është ende e qartë se kur do të rinisë sezoni 2019/20.

Mungesa e ndeshjeve dhe aktiviteteve i ka prekur financiarisht klubet e Kosovës, të cilave FFK-ja u ka dalë në ndihmë duke ia dhuruar secilit klub të ligës elitare nga 12.500 euro.

Për më tepër, organi qeverisës i futbollit vendor i ka liruar nga çdo pagesë deri të gjitha klubet në përfundim të sezonit, por nuk ua ka falur dënimet, të cilat detyrohen t’i paguajnë.

Dhe pas ankesave të disa klubeve për mungesë të transparencës dhe rreth pakënaqësive me pakon e ndihmave financiare, FFK-ja ka reaguar përmes një komunikatë të publikuar në uebsajtin e vet zyrtare.

“Federata e Futbollit e Kosovës gjithmonë është treguar transparente dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Duke pasur parasysh se tremujori i parë i këtij viti na zuri me pandeminë Covid-19, e shohim të arsyeshme që nëpërmjet kësaj komunikate ta njoftojmë opinionin me atë çfarë është realizuar nga KE i FFK-së” shkruhet në komunikatën e FFK-së.

Më poshtë komunikata e plotë e FFK-së:

Në këtë periudhë tremujore si KE i FFK-së kemi bërë projekte dhe marrëveshje të shumta në kuadër të zhvillimit të futbollit tonë, të cilat ua paraqesim në vazhdim:

Marrëveshjet e arritura

-Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Kosovës.

-Është nënshkruar marrëveshja me Federatën e Futbollit të Katarit, e cila ka për qëllim shfrytëzimin e këtij vendi për përgatitjen e ekipeve kombëtare, por eventualisht edhe shërimin e pjesëtarëve të ekipeve kombëtare në spitalet e atjeshme.  Po ashtu, në marrëveshje janë të përfshira edhe shumë fusha tjera të cilat Federata e Katarit me një buxhet të pasur është e gatshme të japë kontributin e saj.

-Është arritur marrëveshja me Unionin e Biznismenëve Shqiptar në Gjermani për sponsorizim në destinacione të cilat i ka paraparë FFK-ja, me theks të veçantë në riorganizimin e shkollave të futbollit dhe të infrastrukturës së tyre.

-Është realizuar pjesa e parë e marrëveshjes me Federatën norvegjeze për edukimin e kuadrove të futbollit të femrave dhe për avancim të futbollit të kësaj kategorie.

-Është arritur marrëveshja me Komunën e Prishtinës për Kampin Edukativ të Hajvalisë dhe stadiumin “Fadil Vokrri”.

Projektet e parapara dhe të filluara gjatë këtij viti

-Kampi Nacional në Obiliq – janë përfunduar procedurat dhe do të fillojë së shpejti. Ky projekt mbështet nga UEFA dhe FIFA.

– Kampi Edukativ në Hajvali është projekt të cilin e ka filluar komuna për destinacion tjetër, por  me marrëveshje i është dhënë FFK-së për të shërbyer si Kamp Edukativ, që është projekt jetik dhe që duhet të duartrokitet nga të gjithë. Komuna e ka bërë shumicën e investimeve  dhe FFK tani e ka obligim ta përfundojë për zhvillimin e ekipeve kombëtare të kategorive të reja. Natyrisht se kjo qendër do të shërbejë edhe për ekipet zinxhir të Komunës së Prishtinës. Projekti është duke vazhduar sipas procedurave me të cilat jemi marrë vesh me Komunën e Prishtinës. Ato punë të cilat i ka kryer Komuna është bërë prerja dhe me punëkryerësit e vet i ka përfunduar të gjitha obligimet, derisa FFK me procedurat e saj të rregullta do të vazhdojë pjesën e saj të mbetur dhe ne jemi shumë të lumtur që më në fund po e përmbushim edhe kriterin që ta kemi një Qendër të Kampit Edukativ. Kështu do të përmbushet obligimi të cilin e ka çdo federatë anëtare e UEFA-s.

-Projekti 100 fusha nëpër Kosovë si dhe secili regjion do ta ketë nga një stadium.

-Stadiumi “Fadil Vokrri” – shtimi i tribunës, projekt i përbashkët me Komunën.

-Shtëpia e Futbollit, projekt i UEFA-s

Të gjitha këto projekte janë përgatitur dhe do të realizohen në përputhje të plotë me standardet e UEFA-s.

Presidenti Agim Ademi, Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu dhe Komiteti Ekzekutiv e vazhdojnë punën e tyre të përditshme dhe janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n për rrjedhën e ngjarjeve me pandeminë dhe për atë se si do të veprohet tutje për ecurinë e kampionatit. Ne shpresojmë që do ta kemi kohën e mjaftueshme që ta vazhdojmë kampionatin dhe ta përfundojmë ashtu siç është paraparë, por sigurisht se gjithçka do të ndërmerret në bashkëveprim me UEFA-n.

Urojmë që futbollistët, drejtuesit e klubeve dhe të gjithë të përfshirët në futboll, por edhe popullata e gjerë ta kalojnë këtë kohë të izolimit të plotë në mënyrën sa më të lehtë të mundshme dhe pas kësaj pandemie të gjithë të jemi shëndosh e mirë, e të kthehemi edhe më fuqishëm në fushat e futbollit. Këtë forcë tonën si futbollistë e kemi treguar edhe në sfidat e tjera, ku nuk jemi gjunjëzuar asnjëherë por kemi dalë faqebardhë  si para luftës edhe pas luftës, e sigurisht jemi shumë të bindur se do të dalim edhe tash.

Nëse dikush nga futbollistët preket nga virusi duhet menjëherë të na njoftojë që t’i marrim masat e duhura dhe ta ndihmojmë në tejkalimin e situatës.

FFK do të vazhdojë të punojë në formën online, siç ka bërë deri më tash dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me klubet, regjionet dhe me UEFA-n.

FFK njofton se përveç pakos emergjente që i është dhënë klubeve, një pako e veçantë do të jepet edhe për shkollat e futbollit. Po ashtu përveç mjeteve financiare, FFK i ka liruar klubet nga të gjitha pagesat e tjera deri në fund të edicionit, përveç dënimeve të cilat nuk do të falen.

FFK falënderon të gjithë sponsorët për korrektësinë e tyre siç janë IPKO, TEB, Emerald, Air Prishtina, Fourteen, Digitalb,  Alpet, KEDS, dhe Unionin e Biznismenëve Shqiptar të Gjermanisë.

(Kosova Sot Online)