Xavi: Tani që jam sprovuar, ndihem i gatshëm ta drejtoj Barcelonën

  • 14 April 2020 - 23:18
Xavi: Tani që jam sprovuar, ndihem i gatshëm ta drejtoj Barcelonën

Xavi Hernandez ndihet plotësisht i gatshëm për t’u bërë trajner i Barcelonës, edhe pse vetëm pak muaj më parë e kishte refuzuar një mundësi të tillë.

Barca e kishte kontaktuar ish-mesfushorin e vet legjendar duke ia ofruar mundësinë ta zëvendësonte Ernesto Valverden e shkarkuar. Por klubi kishte marrë përgjigje befasisht negative.

Xavi thotë se tani ndihet i gatshëm për një detyrë të tillë, pasi e ka sprovuar veten si trajner.

“E kam sprovuar veten si trajner. E shoh veten si person në gjendje për ta udhëhequr Barcelonën, gjë që është ëndërr e imja”, tha Xavi për Post United.

“E kam thënë shumë herë se Barcelona është shtëpia ime; jeta ime”, shtoi ai.

Edhe pse ëndrra e Xavit është Barcelona, spanjolli thotë se ende po e shijon punën e trajnerit të Al Sad në Katar.

“Po mësoj shumë në Katar. Natyrisht se të jesh trajner i Barcelonës është punë e madhe. Më duhet të mendoj qartë. Duhet të jem i përgatitur”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)