UEFA dëshiron që Liga e Kampionëve të fillojë më 20 tetor

  • 16 April 2020 - 23:01
UEFA dëshiron që Liga e Kampionëve të fillojë më 20 tetor

Ende nuk është gjetur një zgjidhje se kur të rinisë apo kur do te përfundojë sezoni 2019/20, mirëpo që tani UEFA dhe Ligat po menaxhojnë datat për startin e sezonit 2020/21

UEFA ka njoftuar se Komiteti i saj Ekzekutiv do ta mbajë një mbledhje javën e ardhshme për të diskutuar përsëri për mënyrat sesi mund ta përmbyllë sezonin 2019/20, në një kohë krize të shkaktuar nga pandemia koronavirus.

Futbolli në gjithë kontinentin është pezulluar për kohë të pacaktuar si pasojë e Covid-19. Të gjitha ligat kryesore vendore evropiane dhe Liga e Kampionëve e Liga e Evropës kanë pushuar që tash e një muaj, për shkaqe të sigurisë së shëndetit publik.

Derisa ende nuk është gjetur një zgjidhje dhe nuk dihet kur do të rinisë sezoni, tashmë UEFA dhe Ligat siç duket e kanë në mendje se kur të startojnë me sezonin e ri 2020/21, raporton AS.

Është mësuar se UEFA po mendon të startojë me UEFA Champions Leaguen dhe UEFA Europa Leaguen me 20 tetor të vitit 2020, pra atëherë do të nisë faza e grupeve.

Ndërsa Ligat është duke u diskutuar që të nisin më 12 shtator, kjo edhe do të varet se kur do të mbyllet sezoni 2019/20 dhe pushimi që do të kenë lojtarët, të cilat do të jenë të lirë së paku 21 ditë pasi të mbarojnë këtë sezon që do të mbahet mend gjatë.

UEFA do që sezoni 2019/20 të rinisë dhe të përfundojë pa pengesa të mëdha, gjithmonë të ruajtjen e shëndetit të të gjithë atyre që janë të përfshirë. 

(Kosova Sot Online)