Fenerbahce s’pranon ta shesë Muriqin për më pak se 25 milionë euro

  • 17 April 2020 - 10:49
Fenerbahce s’pranon ta shesë Muriqin për më pak se 25 milionë euro

E përditshmja turke, Sabah, raporton sot se drejtuesit e Fenerbahces kanë vendosur të mos e pranojnë asnjë ofertë nën shifrën prej 25 milionë eurosh për shitjen e Vedat Muriqin gjatë afatit kalimtar të verës.

Vedat Muriqi, të cilin Fenerbahce e bleu nga Caykur Rizespori gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, po vazhdon të ngjallë interesim te disa ndër klubet më të mëdha të Evropës.

Përderisa Tottenhami dhe Lazio janë dy klubet që po insistojnë më së shumti deri më tani për transferimin e kosovarit, Fenerbahce planifikon t’i fitojë të paktën 25 milionë euro nga shitja e sulmuesit kosovar.

Nëse koronavirusi bën që kampionati në Superligën turke të mbyllet para kohe dhe të hapet afati kalimtar, mediumi turk Sabah raporton se Muriqi do të jetë po aq i zënë sa gjatë sezonit.

Kjo për shkak se sulmuesi që shkaktoi një garë mes Fenerbahces dhe Galatasarayt për nënshkrimin e tij gjatë verës së kaluar, tani i ka futur në garë disa klube të madha evropiane.

Dy klubet me interesimin më serioz deri më tani janë Tottenhami dhe Lazio, përderisa së fundi u raportua se klubi londinez ka bërë ofertë prej 20 milionë eurosh për kosovarin.

Lazio nuk ka bërë ende asnjë ofertë për Muriqin, megjithatë mediumet italiane raportojnë se drejtori sportiv i klubit, Igli Tare, do ta bëjë ofertën prej 20 milionë eurosh sapo të kalojë kriza e virusit Covid-19.

Megjithatë, të dyja këto oferta janë nën shifrën të cilën e ka vendosur Fenerbahce: 25 milionë euro. Sabah parashikon se Tottenhami ka më shumë gjasa ta bëjë një ofertë të tillë, pasi që ka buxhet më të madh sesa Lazio.

(Kosova Sot Online)