Në Itali janë optimistë se futbolli do të rikthehet me 4 maj

  • 17 April 2020 - 21:44
Në Itali janë optimistë se futbolli do të rikthehet me 4 maj

Shifra e të vdekurve nga koronavirusi në Itali vijon të mbetet shqetësuese, por numri i të prekurve të rinj po bie ndjeshëm dhe nga dita në ditë po rritet optimizmi për rikthimin e shpejtë në normalitet, kryesisht pas datës 3 maj, kur pritet të skadojnë edhe masat e jashtëzakonshme të imponuara nga qeveria.

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina deklaroi sot se është optimist që kampionati do të rifillojë rreth fundit të muajit maj dhe fillimit të muajit qershor, për të vijuar me një kalendar të ngjeshur deri në mbyllje të sezonit.

“Jam optimist se do të nisim stërvitjen më datën 4 maj, sipas protokolleve të mirëpërcaktuara dhe në izolim të plotë. Kështu do të vazhdojmë për një periudhë 3-javore, që është e mjaftueshme për të konfirmuar negativitetin ndaj virusit të të gjithë lojtarëve, por njëkohësisht edhe që këta të fundit të gjejnë formën e duhur sportive. Ndaj besoj se në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit, do të jemi gati të rifillojmë”, tha Gravina.

Në krahasim me ditën e djeshme, në Itali kanë nisur të marrin frymë lirshëm pasi edhe 1.000 shtretër janë liruar nëpër spitale, pasi janë shëruar dhe dërguar nëpër shtëpitë e tyre.

Sa i përket vdekjeve, në krahasim me dje, numri është paksa më i madh.

Gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 kanë vdekur 575 persona, numër më i madh krahasuar me dje 525.

Sido që të jetë, numrat po bien dita ditës dhe në Itali janë optimist se më e keqja po kalon dhe se përveç futbollit, në një të ardhme të afërt do të rikthehet edhe normaliteti i jetës. 

(Kosova Sot Online)